Agjencitë e lajmeve dhe media elektronike në Shtetet e Bashkuara kanë dhënë lajmin për arrestimin nga Policia e Kosovës të gjashtë shqiptarëve kosovarë që dyshohen për planifikim sulmesh dhe lidhje me ekstremizmin islamik. Sipas urdhër-arrestit thuhet se ata akuzohen si të dyshimtë që kanë përgatitur një sulm terrorist kundër sigurisë dhe rregullit kushtetues të vendit.
Në informacion thuhet më tej se dy prej tyre dyshohen si sulmues të dy qytetarëve amerikanë, misionarë Mormonë. Në SHBA feja e krishterë Mormone, apo siç quhet zyrtarisht “Kisha e shenjtorëve të mëvonshëm”, është historikisht e anatemuar dhe e diskriminuar nga shumicat e krishtera protestante dhe katolike, transmeton RTK.
Në raport më tej thuhet se autoritetet e Kosovës janë të shqetësuar me rritjen e ekstremizmit fetar në vend. Lajmi i publikuar thekson se rreth 150 shqiptarë etnik besohet se i janë bashkuar luftëtarëve të huaj në luftimet kundër regjimit të Bashar Assadit në Siri.
Agjencitë, gjithashtu njoftojnë edhe për deklaratën e Bashkësisë Islame të Kosovës ku bëhet thirrje kundër përfshirjes së shqiptarëve në luftën e Sirisë dhe të mos të bien pre e organizimeve dhe rekrutimeve të dyshimta.
Edhe në SHBA janë arrestuar individë, shtetas amerikanë, që janë nisur me qëllim t’i bashkohen forcave radikale dhe atyre të Al Kaidas në Siri. Sipas ligjeve amerikane në fuqi, po qe se gjatë gjykimit provohen qëllimet e tilla, dënimet me burg janë 15 vjet e më tepër.