Sot në Ministri të Mbrojtjes, para oficerëve të FSK-së të cilët kanë kryer Akademinë Ushtarake Sandhurst në Mbretëri të Bashkuar, u mbajte ligjërata ”Qasja në lidership” nga kolonel Roddy Winser, ligjërues i Akademisë Mbretërore Ushtarake Sandhurst; ku ishte i pranishëm komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjeneralë dhe oficerë të lartë të FSK-së.
Pas përfundimit të ligjëratës, me një ceremoni rasti u dhanë medalje të gjithë oficerëve të FSK-së, të cilët kanë kryer Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst në Mbretërinë e Bashkuar.
Në ceremoni ishin të pranishëm, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovës, z. Ruairi O’Connell, koloneli Roddy Wisner, atasheu ushtarak i Mbretërisë së Bashkuar nënkoloneli Andy Layton, gjeneral majori Gëzim Hazrolli, gjeneral brigade Enver Cikaqi, gjeneral brigade Irfete Spahiu, gjeneral brigade Nazmi Brahimaj, gjeneral brigade Xhevahir Geci, gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj, gjeneral brigade Naim Haziri dhe oficerë dhe nënoficerë të FSK-së.
Me këtë rast, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pasi përshëndeti të pranishmit, përgëzoi oficeret tanë, që sot janë këtu para nesh, për arritjet e tyre gjatë studimeve në Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst në Mbretërinë e Bashkuar. Ai pos tjerash, tha:
„Padyshim që synojmë ta rrisim bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar, në mënyrë që t’i përgjigjemi nevojave tona në kuadër të zhvillimit të forcës, por edhe të shprehim gatishmërinë që t’i ofrojmë kapacitetet tona, duke kontribuar kështu në ruajtjen e paqes kudo në botë. Si rezultat i bashkëpunimit të ndërsjellë, FSK për herë të parë do të dërgojë një oficerë të saj, në detyrën e instruktorit të kësaj akademie të respektuar. Andaj, shfrytëzoj këtë rast që të falënderoj Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst, për mundësinë që edhe ne të kontribuojmë në zhvillimin e liderëve të rijnë“.
Ndërsa ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovës, Ruairi O’Connell, ndër të tjera tha: “Kosova është vendi më i ri në pertneritet me vendin tonë, prandaj ndikimi i secilit oficer çdo ditë është i matshëm, është një krenari për vendim tim sepse ne kemi qene nga fillimi me ju dhe mund te kontribuojmë në Forcën tuaj dhe në storien tuaj. Kjo është ajo që ne mund të bëjmë, duke kontribuar dhe bartur përvojat tona tek ju. Është për Kosovën që ti përdor këto përvoja, sipas nevojës, që oficerët tuaj të përdorin atë lidership, ato mësime, ato marrëdhënie, ato përvoja, që të japin kontributin e vet, dhe ta shkruajnë kapitullin e tyre në historinë e Kosovës”.
Në fund oficerët e FSK-së, të cilët kanë kryer Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst, për sukseset e treguara u ndanë medalje nga gjeneral Rama, ambasadori O’Connell, atasheu ushtarak nënkolonel Layton dhe koloneli Winser.