/Sabit RRUSTEMI/
(2L ONLINE) – Ars Clubi “Beqir Musliu”, një asociacion shkrimtarësh me seli në Gjilan, më 11 tetor 2014, hap veprimtaritë letrare të vjeshtës, të njohura gjithandej hapësirës shqiptare si “Vjeshta letrare e Gjilanit”.
Është edicioni i pestë radhazi i këtij Manifestimi, një jubile i vogël i një fushate më madhore për librin në Kosovë, që, edhe këtë herë, si përherë, vjen me vepra të reja,me përurime letrare po, edhe shpalos e shtjellon portrete shkrimtarësh, jo vetëm nga Gjilani e Anamorava po, nga mbarë hapësira shqiptare.
Kësaj radhe në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, hapjen solemne e shënon me 16 tituj të rinj, botuar këtë vit përmes Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”, prej të cilëve, vetëm dy tituj, “Trekëndëshi poetik i paqes” edicioni i tretë është mbështetur financiarisht nga MKRS-ja dhe, libri i parë poetik i Qëndresa Shalës, nga Komuna e Gjilanit, përkatësisht DKRS-ja. Të gjitha botimet tjera janë janë financuar nga autorët, me përjashtim të librit me poezi të zgjedhura të Alda Merinit, një poete italiane me famë botërore, botimin e së cilës eka mbështetur vetë Shtëpia botuese “Beqir Musliu”.
Përpos këtyre botimeve, prej të cilave disa që nuk janë përuruar më parë do përurohen gjatë këtij manifestimi mbi dymujor, epiqendër vlerësimi do jetë dhe krijimtaria poetike e Bujar Salihut, një poet gjilanas i cili qe dy dekada, jeton, punon dhe krijon në Zvicër, pastaj portreti letrar i Prend Buzhalës e dr. Zejnepe Alili Rexhepit, që të dy, poetë e kritikë letrar, të cilët, qoftë dhe më herët apo këto vitet e fundit, kanë qenë të lidhur ngusht me veprimtaritë letrare të krijuesve gjilanas si dhe të botimeve tona, për të cilat kanë shkruar si dhe i kanë përfshirë nëpër librat e tyre, vlerësimet letrare, të cilat janë mjaftë inkurajuese dhe, dëshmojnë se në Gjilan po ruhet dhe thellohet tradita letrare e kultivuar nga emra si Beqir Musliu, Mirko Gashi, Rexhep Elmazi, Musa Ramadani, Ibrahim Kadriu, Ramadan Mehmeti etj.
“Vjeshta Letrare e Gjilanit” e cila prej fillimit ka luajtur rol integrues në kulturën tonë, mysafir nga jashtë Kosovës, këtë herë do ta ketë romansierin dhe publicistin e shquar nga Kukësi, Petrit Palushin. Ndërsa veprimtaritë do t’i zhvillojë edhe në Prishtinë, Ferizaj e Viti.
Gjatë “Vjeshtës Letrare” në Gjilan nga datat 23, 24 e 25 tetor 2014 do të organizohet edhe Panairi i Librit, përmes Bibliotekës së Qytetit “Fan S. Noli” mbështetur në organizim gjithashtu nga DKRS-ja dhe Ars Clubi “Beqir Musliu”, ku përpos ekspozimeve të botimeve të reja nga një mori shtëpish botuese brenda e jashtë Kosovës, gjatë tri ditëve , radhazi do ketë dhe veprimtari letrare, si “Ora e shkrimtarëve” ku krijimet e tyre do t’i lexojnë anëtarët e Pen Qendrës së shkrimtarëve të Kosovës dhe, disa nga anëtarët e Ars Clubit “Beqir Musliu” e, do të vlerësohet edhe krijimtaria krijuese letrare e humane e dom Lush Gjergjit.
Me një agjendë të ngjeshur e të zgjedhur, mëtohet që, të afirmohen vlerat dhe veprat e mira, emrat që po e begatojnë letërsinë tonë po, edhe të ruhet e thellohet dashuria ndaj librit, si nga lexuesit, ashtu edhe nga institucionet tona prej të cilave realisht presim edhe më shumë.
Mendojmë me të drejtë që, duke i sforcuar dhe avancuar pozitat e institucioneve të kulturës si në nivel lokal e qendror, duke i mbështetur projektet letrare që sjellin vlera dhe të mira shpirtërore, drejtuesit e këtyre institucioneve do ta mbështesin librin e mirë duke e blerë dhe vendosur nëpër vitrina të bibliotekave shkollore si dhe bibliotekave të qyteteve e të fshatrave të mëdha. Po, edhe nëpër institucione tjera publike./2L ONLINE/