(2LONLINE) – Për të lehtësuar sadopak pak jetën e familjeve skamnore, Komuna e Gjilanit ka filluar me shpërndarjen e pakove ushqimore dhe drurëve për ngrohje. Mursel Zymberi, ushtrues i detyrës së drejtorit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka thënë se në programin e dimërimit, janë përfshirë gjithsej 700 familje të kësaj komune.
Sipas Zymberit, 400 familje do të marrin pako ushqimore, ndërsa 300 të tjera do të ndihmohen me nga 2 metra dru për ngrohje. Në fshatra paraqitet nevoja më shumë për ushqime, ndërsa në qytet kërkesat për dru janë më të mëdha.
Vehid Ibrahimi, udhëheqës i fshatit Myqibabë, tha se ndihmat që kanë marrë nga Komuna, janë të mirëseardhura për familjet e kësaj zone kufitare. Shumica e tyre jetojnë nga asistenca sociale dhe përballen me probleme të natyrës ekzistenciale.
Sipas Bankës Botërore, rreth 30 për qind e popullsisë në Kosovë jeton në varfëri. Në Gjilan, në asistencë sociale janë të përfshirë mbi 1100 familje. Kërkesat për asistencë janë shumë më të mëdha, sipas zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale, por kriteret për të qenë përfitues, janë shumë të ashpra.
Ndërkaq, rrugët në regjionin e Gjilanit, përfshirë edhe ato malore, janë të kalueshme, pavarësisht reshjeve të borës. Enver Biçku, ushtrues i detyrës së drejtorit për Shërbime Publike, ka thënë se të mërkurën kanë intervenuar në disa fshatra të Gjilanit, për të pastruar rrugët nga bora. /2lonline/
/fotoilustrim/