Prokuroria Themelore e Gjilanit, Departamenti për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht me njësitin antidrogë, gjatë ditës së djeshme ka ndaluar të dyshuarin SH.Z., për shkak të dyshimit të veprës penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’ nga neni 273 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Prokuroria pas njoftimit me rastin, menjëherë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me ç’rast pas bastitjes së shtëpisë dhe lokaleve tjera përcjellëse në Gjilan, nga ana e zyrtarëve policor, te i dyshuari janë gjetur 3.5 kilogram narkotik, e cila dyshohet të jetë e llojit ‘’Heroinë’’, dhe të cilën dyshohet që i njëjti e ka poseduar me qëllim shitjeje.
Ndaj të njëjtit është marrë aktvendim mbi ndalim në kohëzgjatje prej 48 orësh, si dhe brenda afatit ligjor do të ushtrohet edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit dhe do të ndërmerren të gjitha veprimet e tjera hetimore me qëllim të ndriçimit të kësaj çështje penale, pasi që dyshohet se është i përfshirë edhe një i dyshuar tjetër, i cili për momentin gjendet në arrati.