(2L ONLINE) – Është përmbyllur edicioni i pestë i Manifestimit Letrar “Vjeshta letrare e Gjilanit”, edhe at[ duke u promovua krijimtari letrare e Rrahim Sadikut, me theks të veçantë në dy veprat e tija të fundit, njëri në poezi dhe tjetri roman “Zgjimi me etjen” dhe “Andej kufirit të vdekjes”.
Për autorin Rrahim Sadiku, u tha se ai deri më tashti ka nxjerrë mbi 30 vepra letrare, kurse për veprat “Zgjimi me etjen” – poezi dhe “Andej kufirit të vdekjes” – roman, kanë folur kritikë të letërsisë.
Prend Buzhala, në vështrimin e tij, ka thënë se Rrahim Sadiku është njëri ndër shkrimtarët e rrallë të letrave shqipe, e cili ka rrugëtuar me rrjedhën e kohëve. Ai me figurë të artikuluar në këto rrjedha rend bashkë me kohën. Për Buzhalën, Sadiku është autor i poezive, romansier, publicist e shkrimtar i monografive që ka paraqitur kthesat historike e kombëtare, ngase edhe vetë autori shtegtoi me lëvizjet kombëtare dhe atë për liri.
Duke folur për krijimtarinë e Sadikut, Buzhala është ndalë te romani i tij më ri “Andej kufirit të vdekjes”, duke thënë se autori ndërtoi strategji të veçantë mospajtimi ndaj të keqes dhe në këtë vepër shpalos vlera kombëtare, ngjarje e kthesa historike.
Nexhat Rexha, kritik i letërsisë, është ndalë te vepra me poezi “Zgjuar nga etja”, duke theksuar se autori në këtë vepër ruajti të gjitha vlerat e kohëve dhe pasqyroi ide e përjetime komplekse dhe se me këtë vepër i jep mundësi lexuesit që të arrij përjetime personale.
“Sadiku e do vendin e tij, çmon njeriun e tij”, ka thënë Rexha dhe ka shtuar se ndonëse poezitë e Sadikut në këtë vepër në dukje të parë gjasojnë me njëra – tjetrën, kur të përfundohet së lexuari vepra, atëherë krijohen përshtypje krejt të tjera. “Poeti vjen si kalorës i pabindur në shtegtimet e tija”, ka thënë Rexha.
Recensenti Ramadan Mehmeti, ka dalë me një vështrim kritik për romanin “Andej kufirit të vdekjes”, për të cilin tha se është vepër me mendim novator, me mjedis krejt tjetër ku realja dhe irealja janë një, ku e zakonshmja dhe e pazakonshmja qëndrojnë afër.
Poeti Rrahim Sadiku, i cili është nderuar me mirënjohje nga Ars Club “Beqir Musliu”, ka thënë se ndjehet mirënjohës për familjen dhe shoqërinë që e përkrahën edhe atëherë kur e kishte më së vështiri dhe që i dhanë vullnet për jetë e punë, pastaj edhe nga shokët e luftës që e kthyen në jetë, sikurse edhe lexuesit dhe shtoi se tërë atë që e ka ditur është munduar që t’a qes në vepër.
Për krjimtarinë letrare të Rrahim Sadikut, foli edhe poeti – prezantuesi Arsim Halili, derisa pjesë nga poezitë, romanet dhe tregimet e Rrahim Sadikut, ka deklamuar bashkëqytetari i tij, aktori Nexhat Xhokli./2L ONLINE/