Sjellja kolektive gjatë përcjelljes së komandantëve të UÇK-së për në gjykatën politike të quajtur Speciale të Kosovës në Hagë dhe kakofonia se “ata edhe kësaj radhe do të dëshmojnë pafajësinë e luftës çlirimtare të Kosovës”, më kujtuan procesin gjyqësor dhe përcjelljen për të vuajtur dënimin të Fadil Sulejmanit, profesorit të mirënjohur nga Tetova, tanimë i ndjerë.
Nga: Bardhyl MAHMUTI
Për ata që nuk kanë mundur ta ndjekin këtë ngjarje, qoftë për shkak të moshës, sepse ka ndodhur një çerek shekulli më herët, qoftë për arsye të ndryshme, po e përshkruaj shkurtimisht.
Për shkak të veprimtarisë së tij për të themeluar Universitetin e Tetovës, pushteti i Maqedonisë organizoi procesin gjyqësor të motivuar politikisht kundër tij. Nëpërmjet deklaratave të tyre publike, përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni shprehnin “besimin e tyre të plotë”, që Fadil Sulejmani do të dilte fitimtar nga ky proces gjyqësor; organizatat joqeveritare shqiptare në Maqedoni e denonconin këtë proces gjyqësor, ndërsa intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare kërkonin ndërprerjen e procesit gjyqësor dhe shpalljen e pafajësisë për Fadil Sulejmanin… Megjithatë, gjykata maqedonase, e dirigjuar nga politika, dënoi Fadil Sulejmanin me dy vjet e gjysmë burgim.
Ditën kur vendimi i gjykatës u bë i plotfuqishëm, mijëra qytetarë shqiptarë krijuan kortezh të madh për ta përcjellë Fadil Suljemanin deri te dyert e “Burgut të Tetovës”! Për t’i dhënë karakter komik kësaj tragjedie individuale dhe kolektive dhe për ta dalluar nga kortezhet funerale, në krye të kortezhit u vendosën lodraxhinjët dhe curlexhinjët më të njohur të Tetovës! Që të dukeshin sa më “seriozë”, lodraxhinjtë kishin përveshur mëngët e këmishës dhe ishin duke e plasur lëkurën e lodrës duke i rënë, ndërsa curlexhinjët frynin faqet sikur donin t’i bënin konkurrencë lëkurës së lodrave…
E përcollën Fadil Sulejmanin deri te dyert e burgut dhe u kthyen nëpër shtëpitë e veta. Pas vuajtjes së një pjese të mirë të dënimit nëpër burgjet e Tetovës, Shkupit dhe Manastirit, ai u kthye në shtëpi. Nuk çoi peshë që të gjithë e dinim se ai nuk ishte fajtor! Historia u dha të drejtë atyre që u angazhuan për krijimin e kushteve, që shqiptarët të kenë mundësi të arsimohen nga niveli parashkollor e deri tek ai universitar. Me respekt për ata që vuajtën për realizimin e këtij misioni, të cilët do të mbesin përjetë në kujtesën kolektive. Do të kujtohen edhe “lodrazhinjtë dhe curlexhinjtë” e atij kortezhi, që i dhanë karakter komik tragjedisë sonë kolektive.
Në rastin e tragjedisë që ngërthen në vetvete krijimi i Gjykatës Speciale, duhet të ndërpritet sjellja kolektive komike në situata tragjike!
Ftesat që kanë marrë dhe që do të marrin personalitetet e njohura të luftës çlirimtare janë dëshmi se Prokuroria e Gjykatës Speciale nuk ka prova për të mbështetur ngritjen e aktakuzave. E mbështetur në dosjet e sajuara nga Shërbimi Sekret serb, çështje të cilën e kam argumentuar hollësisht në librin “Mashtrimi i madh”, Prokuroria e Gjykatës Speciale ka filluar të zbatojë edhe metodat e UDB-së së dikurshme: shpreson të grumbullojë të dhënave nëpërmjet “bisedave informative”.
Prokuroria nuk është kishë ku besimtarët rrëfehen për jetën e tyre. Në rastin konkret, nuk duhet të harrojmë se kjo prokurori politike mund t’i interpretojë “rrëfimet” e dikujt në funksion të ngritjes së aktakuzave ndaj atyre që synon t’i nxjerrë para “drejtësisë”! Në prokurori nuk mbrohet drejtësia e luftës çlirimtare! Sidomos jo në atë prokurori që është mbështetur në sajesat serbe.
Prandaj “të ftuarit” në Hagë duhet të kenë një qëndrim: me prokurorinë shihemi në gjykatë, aty ku duhet të ndahet drejtësia! Vetëm në gjykatë ballafaqohen argumentet dhe kundërargumentet!
BURIMI: Epoka e re