Me program për fëmijët i cili ishte organizuar nën përkujdesjen e kryetarit Alban Hyseni, Komuna e Gjilanit ka shënuar sot 1 qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Kryetari Hyseni tha me këtë rast se synojnë që bashkërisht të japin maksimumin në mënyrë që fëmijët të kenë një të ardhme të garantuar.
“Ajo çfarë ne duhet të synojmë bashkërisht si të rritur për fëmijët të cilët janë të mrekullueshëm e që duhet edukuar e rritur mirë, është që ta japim maksimumin prej vetës në mënyrë që fëmijët të kenë një të ardhme të garantuar. Shfrytëzoj rastin që t’ju urojmë 1 qershorin, duke uruar që të rriteni me të gjitha të mirat e botës’, ka thënë kreu i Komunës, Alban Hyseni.
Drejtoresha komunale e arsimit, Selvete Sylejmani, tha se Gjilani sot po duket më ndryshe, më i hareshëm, më i bukur dhe më i buzëqeshur.
“1 qershori, dita e haresë dhe e gëzimit, dita ku ju të gjithë fëmijët të dashur ndiheni si mbretër të botës. Gjilani sot e ka për obligim që vërtet ju fëmijë të ndiheni të sigurt, më të hareshëm e më të gëzuar. Urojmë që ëndrrat tuaja të bëhen realitet dhe e ardhmja juaj të jetë ajo që e meritoni”, ka thënë ajo.
Përndryshe, në kuadër të shënimit të 1 qershorit, kreu i Gjilanit, Alban Hyseni me bashkëpunëtorët, gjatë ditës ka mbajtur takim me Asamblenë e Fëmijëve, sikurse që e ka vizituar edhe qendrën “Pema”. /2LONLINE/