Pas homazheve në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, dje u mbajtë ceremonia e varrimit të kolonel Gyrner Muratit. I ndjeri u varros në fshatin e lindjes, në Llapashticë të Ulët të Podujevës me nderime të larta ushtarake në praninë e familjarëve, miqve, shokëve dhe kolegëve të FSK-së.
Në emër të komandantit të FSK-së dhe të gjithë ushtarakëve fjalën e mori zëvendës komandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi i cili pasi shprehu ngushëllimet për familjen, miqtë, shokët dhe kolegët e tij, vlerësoi shumë lartë punën dhe kontributin e qmuar të kolonel Muratit në të gjitha periudhat e shërbimit të tij, si luftëtar i lirisë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si dhe oficer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Me veprimtarinë dhe kontributin e madh të kolonel Muratit janë krenar jo vetëm familja por edhe ne bashkëpunëtorët e tij si dhe do t’a kujtojmë si një ushtarak profesionist dhe patriot të madh” tha ai. Gjeneral Cikaqi, në fund shprehu zotimin se punën dhe kontributin e kolonel Muratit do ta mbajmë afër në punën tonë, si gjurmë të pashlyeshme të cilat Gyrneri i la në ndërtimin e Ushtrisë së vendit. Gjatë ceremonisë, folën edhe e bija Earta dhe vëllai i të ndjerit, Skënderi si dhe përfaqësuesi i organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së z. Fahri Balaj.
Në fund të ceremonisë u vendosën kurora të shumta lulesh nga miq, bashkëluftëtarë, kolegë, ushtarakë e shokë nga të gjitha viset shqiptare.