Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri është organizuar sot mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të profesorit, Naim Shaqiri të cilin e kanë vlerësuar të gjithë të pranishmit për kontributin e tij të dhënë që nga aksioni për pajtimin e gjaqeve e deri në ditët e sotme në përkushtimin për punë dhe përgatitjen e nxënësve për të ardhmen.
Në fjalën e tij kryetari Lutfi Haziri ka thënë se Gjilani është në ditë zie për ndarjen nga jeta të profesor Naim Shaqirit, në shenjë respekti për veprën e madhe dhe aktivitetin permanent që ai ka bërë gjatë gjithë jetës.
“Jemi sot këtu në këtë objekt të Bibliotekës së Qytetit, sepse ai e deshi këtë vend, u përkujdes për këtë projekt dhe sot bashkërisht jemi në nderim të jetës dhe veprës së Naim Shaqirit. Të nderuar veteranë të arsimit, rotarianë, nxënës të tij kudo që jeni dhe të pranishëm, Naimi ka qenë me të gjithë ne. Me Naimin jam njohur që nga protesta e 1 tetorit të para 32 vjetëve, si gjilanas dhe i pjekur sepse ai ishte edukator për ne dhe rezistues në proces. Pos kësaj ai ishte edhe pajtimtari i parë i anës tonë në Këshillin e Kosovës për Pajtimin e Gjaqeve, që në fakt ishte pajtim kombëtar apo politik i të gjithë shqiptarëve në atë kohë”, ka thënë ai.
Haziri ka thënë se ai ishte aktiv dhe i pandalshëm asnjëherë deri në ditën e djeshme.
“Ishte anëtar në detyrë në planin zhvillimor komunal për 10 vitet e ardhshme, ishte qytetar aktiv duke parë të gjitha problemet duke reaguar dhe ngritur zërin dhe kërkuar zgjidhjen e problemeve deri edhe në mbështetjen dhe ndihmën e njerëzve dhe familjeve të ndryshme në aktivitete humanitare dhe duke dhënë gjithçka sikur që ai e bënte. Ai më ka njoftuar me shumë njerëz të mirë të klubeve të rotarianëve në Kosovë e Shqipëri dhe më gjerë dhe gjithmonë ka insistuar që të jem pjesë e angazhimeve me të dhe asnjëherë nuk kam dyshuar që ku është Naimi duhet me qenë gjithë”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai ka potencuar se është dhembje e madhe e këtyre ditëve me mungesën e tij në aktivitete për 22 vjetorin e Epopesë së UÇK-së dhe rezistencën e madhe që ka bërë familja e komandantit legjendar Adem Jashari.
“Sot në Seancën Solemne të Kuvendit të Komunës Naimi na ka munguar përkundër që bashkërisht e kemi kujtuar. Ai do të na mungojë në Kuvend, në teatër, në shoqatë, në Rotary Club Gjilani dhe gjithkund ku Naimin e kemi parë përditë. Më së shumti do t’i mungojë nxënësve të tij në Shkollën e Mesme Teknike “Mehmet Isai” dhe u shpreh ngushëllime gjithë kolegtivit të tij. Njëri nga nxënësit e tij të gjuhës angleze jam edhe unë. Gjilani dhe të gjithë ne do ta duam gjithnonë sepse ai gjithnjë ka dhënë për të gjithë ne”, ka përfunduar kryetari Haziri me citimin e mikut të tij Xhavit Rexhaj i cili në ndarjen me Naimin ka thënë ‘Nga sot qielli to të jetë më i pasur me ty, Naim’.
Ndërsa, Lumnije Tahiri, drejtoreshë e shkollës “Mehmet Isai”, nën emocione dhe dhimbje të madhe për ndarjen nga profesori Naim, ka bartur dhimbjen e madhe të kolektivit të shkollës dhe nxënësve për ndarjen e vështirë nga njeriu i madh e intelektual me nivel të lartë të kulturës e shembull të një qytetari me vyrtyte të larta të qytetit të Gjilanit.
Në emër të klubit rotarian Gjilani ka folur edhe Muhamet Halili, i cili ka potencuar mungesën e madhe që do ta kenë në aktivitetet e tyre të rrafshit human, sepse siç ka thënë mes tjerash ai, një energji e madhe nga dje ka pushuar për këtë klub dhe shpresë për këtë qytet. Ai ka theksuar thënien e profesorit dhe të klubit “Shërbimi para vetvetes”, për të bartur madhështinë që e kishte në gjithë angazhimet e tij, për jetën, paqen, edukimin, arsimimin dhe natyrën.
Edhe në emër të klubit të rotarianëve të kosovës, Sylë Alaj, ka shprehur dhembjen e thellë për këtë ndarje të vështirë, sikur që është lexuar edhe telegrami i ngushëllimit i dërguar nga Bordi Kombëtar Rotarian Shqiptarë dhe Universiteti “Kadri Zeka”.
Ndërsa në emër të familjes para të pranishmëve është paraqitur Arxhiro Shaqiri, mbesa e profesorit, e cila ka thënë se qenka shumë e vështirë që të ndahet nga xhaxhai isaj dhe kolegu i punës sepse gjithë jeta e tij ishte e ndërtuar mbi altruizmin për t’i ndihmuar të tjerët dhe për të kontribuar në të mirë të kësaj shoqërie.
Ajo në emër të familjes ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit dhe ata që në forma të ndryshme janë pranë tyre në këtë ndarje shumë të vështirë.