Gjilan – (2LONLINE) – Këto dy-tri ditë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në Gjilan, në veçanti Qemajl Mustafa, kandidati për kryetar komune, i cili ka siguruar balotazhin dhe do të ballafaqohet me Lutfi Hazirin (LDK), është duke e paralajmëruar Koalicionin e madh për Gjilani, ku rreth PDK-së, ka potencuar se do të jenë bashkë, AAK, Lëvizja Vatra, AKR, PD, PSD si dhe votuesit e Vetëvendosjes.
Për më tepër, për disa raste ai ka thënë se veç ka pas kontaktet e para dhe se çështja e koalicionit rreth PDK-së e subjektet e lartpërmendura pothuajse është çështje që shumë shpejtë do të jetë e kryer. Ai madje edhe përgjatë një konference të mbajtur të mërkurën, ka përsëritur atë se si ka pas takime me të AAK-së si dhe ka paralajmëruar takime për sonte edhe me ata të Lëvizjes Vatra dhe të Partisë së Drejtësisë (PD), si dhe ka paralajmëruar kthimin e sigurt të votuesit pro PDK-së, që në rrethin e parë kishin votuar Lëvizjen Vetëvendosje.
Në anën tjetër, zyrtarë të lartë të këtyre partive politike të apostrofuara nga Mustafa, po i mohojnë takimet dhe po ashtu ndonjë koalicion të mundshëm që mund të jetë në prag. Përgjithësisht po thuhet se po presin certifikimin zyrtarë të rezultateve për të biseduar e vendosur pastaj mbi këtë temë, pasi thonë se nuk kanë vija të kuqe për asnjërën parti politike, hiq Vetëvendosjes e cila si subjekt nuk do ta mbështet asnjë kandidat, së paku, tani për tani, deklarimet janë të tilla.
Po sot, kreu i AAK-së Rexhep Kadriu mohoi të ketë pasur subjekti i tij takime me PDK-në për çështje të koalicionit, madje ai nuk përtoi t’i cilësoi si gënjeshtra të kulluara çfarëdo deklarate nga kushdo qoftë, në këtë rast edhe nga Mustafa i PDK-së, për takime të mundshme me të, a me dike që përfaqëson AAK-në, për punë të koalicionit.
Një gjë e tillë, se nuk ka pasur takime me PDK-në për këtë çështje e ka thënë edhe Kushtrim Kadriu nga Zyra për informim e Lëvizjes Vatra. Për më tepër, ai ka mohuar edhe mundësinë për t’u takuar sonte me PDK, ashtu si ka deklaruar Mustafa në konferencën e sotshme, dhe këtë tha se e mbështetë në qëndrimin e kryesisë së Vatrës.
Ndërsa, edhe Jetlir Zyberaj nga Aleanca Kosova e Re, niveli qendror, e demanton atë se partia e tij ka vendosur për ndonjë koalicion në Gjilan. “Kjo nuk është e vërtetë, askush prej strukturave të degës apo qendrës nuk ka diskutuar me askënd për këtë çështje. Ne ende nuk e dimë çfarë qëndrimi do të mbajmë sepse është shumë herët dhe kjo deklaratë e z.Mustafa është totalisht e pavërtetë”, ka thënë Zymberaj (burimi Indeksonline). Kësaj deklarate iu ka referuar edhe Arben Maliqi nga Dega e AKR-së në Gjilan i cili ka thënë se nuk ka çfarë tjetër më shumë ti shtoj kësaj deklarates së Zymberajt
Edhe Kujtim Shahiqi nga PSD-ja e Gjilanit thotë se deri në këto momente nuk ka pas kurrfarë kontakti mes PSD e PDK, apo me Mustafën për këtë çështje. Shahiqi tha se deklarimet për koalicione që dëgjohen e ku përmendet edhe PSD, mund të cilësohen për momentin vetëm si qejfe të PDK-së. Pas certifikimit të rezultatit PSD do të bëjë analizën dhe do të shikojë punën e koalicionin duke qenë e hapur pa vije të kuqe për asnjërën parti, thotë Shahiqi.
Pra, duke pasur në njërën anë deklarime nga ana e PDK-së, përkatësisht të Mustafës për takime veç të mbajtura dhe paralajmërime për takime tjera, dhe në anën tjetër mohime të këtyre takimeve, apo edhe për mundësinë e takimeve të reja para certifikimit të rezultateve, shtrohet pyetja vetvetiu, ka ndodhur apo jo këto takime që i potencon Mustafa dhe nëse po, atëherë me kë po takohet Qemajl Mustafa, dhe a mund të kryhet me ta, puna e koalicionit, pasi Mustafa po duket i sigurt në atë që po e pohon në lidhje me koalicionin.
Mbetet të presim në ditët në vijim se kah do t’i dal ”tymi” kësaj pune dhe se do të shihet po ashtu se kush e pati me të drejtë e kush bëri politikë. /2lonline/