Me certifikimin e kandidatëve të grupit III dhe IV në programin e “Network Administrator”, në Infotech Academy në Gjilan, ka përfunduar cikli i parë i trajnimit në këtë fushë, i nisur pothuajse një vit më parë, por që fal suksesit të treguar, së shpejti pritet të fillon edhe cikli tjetër, që do të jetë më i zgjeruar, edhe sa i përket komunave, edhe sa i përket programeve, por edhe sa i përket numrit të kandidatëve që do të përfshihen për t’i ndjekin trajnimet e tilla.
Pra, të rinjtë gjilanas shfrytëzuan mundësinë e shkëlqyer për t’u trajnuar në fushën e teknologji informative, përmes trajnimi që u ofroi InfoTech Academy dhe Xpertt LLC, mbështetur nga: YOU program, KODE, Ministria e Ekonomisë, financuar nga Banka Botërore.
Pra, ishin pikërisht Infotech Academy dhe Xpertt LLC një mundësi e shkëlqyeshme që iu ofrua më se 80 të rinjve gjilanas, që u trajnuan në fushën e teknologji informative, me të veçantën që kishte ky projekt, me mësime teorike, kryerjen e praktikës, e më pas edhe mundësinë që të zbatohen menjëherë ato njohuri të fituara, përmes punësimit nëpër kompani të ndryshme të profilit të teknologjisë informative.
Burim Sherifi, CEO i Infotech Academy në Gjilan ka bërë të ditur për Portalin 2LONLINE, se u nda i kënaqur me këta të rinj, të këtyre katër grupeve që ndoqën këtë trajnim në Programin Network Administrator.
“ishte një kënaqësi e madhe që këta të rinj i kishim studentë ku së bashku kemi ndërtuar profile që aktualisht janë më në trend të kërkesave të ICT-së. Po e mbyllim kështu një cikël shumë të suksesshëm të filluar një vit më parë, e do fillojmë ciklin e dytë të pasuruar edhe me një program shtesë, ku së shpejti do të nxjerrim konkurset për grupet e reja në Network Administrator dhe Cyber Security”, ka thënë Sherifi.
Ndërsa, edhe Armend Zeqiraj – CEO në Xpertt LLC, tha për Portalin 2LONLINE.com, se ndihet shumë i kënaqur me numrin e kandidatëve që e kanë përfunduar trajnimin dhe janë certifikuar sepse kanë mundësi të drejtpërsëdrejti me iu qasë tregut të punës në lëminë e teknologjisë informative si administrator të rrjetave, që është kërkesë e madhe në treg.
Zeqiraj tha se ndihet i lumtur që këta të rinj janë orientuar në këtë drejtim sepse është profesion i kohës, i qëlluar dhe i kërkuar në tregun e punës dhe se, si këta 80 të rinj në Gjilan, poashtu edhe ata 80 të tjerë në Prishtinë, që janë certifikuar në këtë program, janë profesionalizuar për me ju qasë tregut të punës pa kurrfarë problemi dhe besojmë në suksesin e tyre bazuar në interesimin dhe performancën e treguar përgjatë këtyre muajve të trajnimit.
Përndryshe, mësohet se në ciklin tjetër, për të cilën prit së shpejti të hapet konkursi, do të ofrohen trajnime të tilla për 120 kandidatë për Gjilan, por kësaj here edhe për 80 kandidatë të tjerë në Pejë. Pra intenca është që këto trajnime të përfshijnë të gjitha zonat e vendit për t’iu dhënë rinisë gjithandej komunave një mundësi të barabartë për këtë program në fushën e teknologjisë informative. /2LONLINE/