Disa antioksidues të grupit të flavonoideve të pranishme në artiçokë, mund të ndihmojnë në luftimin e kancerit të pankreasit.
Kërkuesit nga Universiteti i Illinoisit kanë hulumtuar ndikimin e antioksiduesve apigenin dhe luteolin, të pranishme në selino, artiçokë dhe mëlmesa të ndryshme, në qelizat tumorale të pankreasit.
Rezultatet kanë treguar një efekt pozitiv të apigeninit në shkatërrimin e qelizave tumorale te karcinoma agresive e pankreasit. Por, autorët e studimit thonë se efektet më të mira arrihen kur antioksiduesit kombinohen me barna të kimioterapisë, ashtu që antioksiduesit të përdoren para barnave, dhe jo bashkë me to.
Antioksiduesit është vërejtur se shkatërrojnë qelizat karcinogjene duke inhibuar një enzimë kyçe në këtë proces, glikogjen sintetaz kinazën.
Autorët e studimit ende nuk mund të japin një dozë të caktuar të antioksiduesve për të nxjerrë efektet e dobishme të saj te ky lloj i kancerit, por pritet të vijnë me një propozim pas disa studimeve shtesë.
Studimi është publikuar në revistën Molecular Nutrition and Food Research.