Ministria e Mbrojtjes dhe FSK me aktivitete të shumta shënuan sot Ditën e Forcës. Pas homazheve në Kompleksin Memorial të Jasharajve në Prekaz, të delegacionit më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, u mbajt manifestimi qendror.
Në këtë manifestim, morën pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, njëherazi Komandantja Supreme e FSK-së, Kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj. Pjesëmarrës të tjerë në këtë ceremoni gjithashtu ishin Kabineti Qeveritar, kori diplomatik dhe ushtarak i akredituar me mision në Kosovë, si dhe përfaqësues dhe personalitete të institucioneve tjera dhe të jetës publike në vend.
Duke ua uruar Ditën e Forcës, të gjithë ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve të FSK-së, Presidentja Osmani-Sadriu u shpreh e lumtur për zhvillimin e hovshëm të FSK-së, duke u shndërruar nga ruajtëse e paqes së brendshme, në faktor të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë globale.
Më tej, Presidentja Osmani-Sadriu, theksoi se FSK po vazhdon rrugën e saj të tranzicionit si partner i besueshëm dhe i rëndësishëm i ushtrisë më të fuqishme në botë, asaj të Shteteve të Bashkuar të Amerikës dhe partnerëve të tjerë të aleancës më të fuqishme ushtarake në historinë e njerëzimit, atë të NATO-s.
Kryeministri Albin Kurti, para të pranishmëve theksoi se sot ka shumë arsye për të festuar pasi që tashmë FSK ka dëshmuar që është Forcë profesionale, e përkushtuar të marr detyra të reja në shërbim të vendit dhe të paqes kudo në botë. Më tej, ai shtoi se Kosova prapë ka dëshmuar që është partner dhe aleat i besueshëm i shteteve partnere, duke i falënderuar ata për përkrahjen në modernizimin dhe trajnimin e FSK-së.
“Ju jeni ushtria që lidh historinë e Kosovës me shtetin e Kosovës. Pra, bashkë me të qenit ushtri, ju jeni një prej themeleve më të thellë të Republikës”, theksoi Kryeministri Kurti para të pranishmëve.
Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, përveç të arriturave të FSK-së theksoi se do të vazhdohet me angazhim dhe përkushtim edhe më të madh sepse jemi në drejtimin e duhur.
“E kemi mision të shenjtë sepse ia kemi borxh paraardhësve tanë dhe gjithë të rënëve për liri. Ia kemi borxh fëmijëve të Kosovës dhe gjeneratave që do vijnë më pas. Ia kemi borxh miqve tanë që ndihmuan dhe na ndihmojnë në përpjekjet tona për të ardhmen tonë të sigurt”, theksoi ministri Mehaj gjatë fjalimit të tij.
Manifestimi vazhdoi me ndarjen e medaljeve nga Presidentja Osmani-Sadriu, për ushtarakët me performancën më të lartë në shkollime dhe trajnime jashtë vendit.
Gjithashtu, ministri Mehaj dhe gjeneral Rama ndanë medalje për arritje të jashtëzakonshme, shërbim të shquar dhe shërbim vetëmohues për ushtarakët dhe njësitë më të dalluara të FSK-së dhe zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes.
Në të njëjtën ditë, në të gjitha kazermat e FSK-së si në: Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozotin, para qytetarëve të pranishëm u ekspozuan dhe demonstruan aftësitë dhe kapacitetet ushtarake e FSK-së të shoqëruara edhe me aktivitete tjera.
Dita e Forcës na ofron mundësinë të falënderojmë dhe shprehim mirënjohjen më të lartë për qytetarët, të cilët janë mbështetësit më të fuqishëm të FSK-së. /2LONLINE.com/