Me aktivitete të shumta, organizuar në Zhegër të Gjilanit, është nderuar heroi i kombit, Agim Ramadani.
Fillimisht është shënuar dita e shkollës në Zhegër që mban emrin e heroit, pastaj është mbajtur Ora Letrare “Muza e Agimit”, ku me bashkimin e njerëzve të pendës, të cilët deklamuan poezitë e tyre, në vendlindjen e Agimit, përmes vargjeve u nderua ky hero që ra në altarin e lirisë. Liri që po e gëzojmë sot të gjithë ne, shkruan Portali 2LONLINE.com.
Në këtë orë të madhe letrare morën pjesë poetë nga vende të ndryshme të Kosovës, nga Kosova lindore, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria dhe se pjesëmarrja e tyre këtë ditë e bënë të veçantë sepse I kushtohej një heroi të veçantë të Kosovës, që ishte pos një luftarak i shkathtë edhe një artist që artin e kishte në shpirt.
Përndryshe, pas deklamimit të dhjetëra poetëve, juria në përbërje: Anton Nikë Berisha, Emin Azemi e Sinan Sadiku, shpallen poezinë më të mirë atë të, Agim Gjakovës të cilit edhe i takoi çmimi “Muza e Agimit”.
Më pas, po në ambientet e shkollës së fshatit që mban emrin e heroit, u organizuan garat në zgjidhjen e enigmave, garë kjo e organizuar nga Shoqata e Enigmatëve “Ndre Mjeda” nga Gjilani, transmeton 2LONLINE.com.
Pas garimit dhe verifikimit të rezultateve të pjesëmarrësve në këtë garë, fitues i kësaj gare doli të jetë Sadri Ajvazi, i dyti doli Bilall Haliti ndërsa për pozitën e tretë, pikët e mjaftueshme i kishte grumbulluar, Xhelil Rrahmani.
Por, aktivitetet në kuadër të manifestimit “Ditët e Agimit” nuk kishin të ndalur. Ato vazhduan me vrapimin tradicional “Vrapimi i Lirisë”, një shteg simbolik i gjatë 900 metrash, nga varri i Idriz Seferit e deri te çezma e Agim Ramadanit, e ku ngadhnjeu Alban Haziri.
Aktivitetet e Manifestimit “Ditët e Agimit” vazhduan me pjesën artistike të programit, tubimin qendror “I këndojmë Agimit” me pjesëmarrje të këngëtarëve të ndryshëm si: Edona Llalloshi & Yllka Dema, Ramë Isufi dhe Lorika Sulejmani (vallën e Karadakut), Albina Kelmendi, Arian Agushi, Ismet Behxheti, Mahmut Ferati, Merita Sahiti Selishta, Milaim Mezini, Faton Isufi, Naser Beqiri, Feim Leka dhe AKV Anamorava-Viti.
Përndryshe, aktiviteti përmbyllës ishte Ekspozita me punimet artistike, pikturat e Agim Ramadanit ekspozuar në Galerinë e Arteve në Gjilan, ku artdashësit patë mundësi ta shihnin anën artistike të heroit që e deshi aq shumë atdheun dhe artin! /2LONLINE/