Të hënën e ardhshme (me 6 korrik) do të dihet edhe saktësisht se sa klube do ta përfaqësojnë Kosovën në hendboll në Kupat Evropiane. Tash për tash bëhet e ditur se nëntë klube duhet të marrin pjesë në bazë të të drejtës që iu takon. Federata e Hendbollit e Kosovës është e pranuar me të drejta të plota në EHF dhe kjo i mundëson që të marrin pjesë me sa më shumë klube në garat e ndryshme evropiane. Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i FHK-së, tha se e gjitha varet nga kushtet financiare dhe fondi i lojtarëve që kanë klubet.
Besa Famiglia nga Peja merr pjesë në garat e Kupës së EHF-it, kurse Prishtina, Kastrioti i Ferizajt dhe Kosova e Vushtrrisë në Challenge Cup. Përderisa të meshkujt janë paraparë katër klube, te femrat janë pesë, si: Kastrioti i Ferizajt kampione dhe Prishtina do të garojnë në Kupën e EHF-it, kurse Samadrexha, Shqiponja e Gjakovës në Challenge Cup dhe Drita e Gjilanit te fituesit e Kupave. “Kjo është në bazë të drejtës që na takon dhe është një e mirë edhe për hendbollin. Sepse kjo e drejtë që të marrin pjesë me katër klube të meshkujt dhe pesë të femrat, na takon si anëtare me të drejta të plota në EHF.
A do të marrin pjesë të gjitha këto klube varet krejt nga kushtet financiare dhe atyre të fondit të lojtarëve”, tha Gjinovci për gazetën kombëtare “Bota sot”. Hendbolli i Kosovës qëndron më mirë se disa shtete për nga koeficienti dhe kjo para disa jave e ka renditur edhe në vendin e 29-të në renditjen e përgjithshme. “Vendi i 29-të është real në mesin e 50 shteteve, kur i kemi parasysh investimet sa bëhen qoftë nga komunat ku veprojnë klubet qoftë nga ai qendrorë.
Me siguri presim rritjen e koeficientit dhe të marrim pjesën direkt në Champions League në vitet e ardhshme”, tha Gjinovci. Me 6 korrik është afati i fundit që klubet duhet të paraqiten në garat evropiane. A besoni se të gjitha klubet tona do të aplikojnë? “Nuk besoj se do të aplikojnë të gjitha, shpresojmë që kampionët dhe vendet e dyta të paraqiten në kupat evropiane”, përgjigjet ai. Në anën tjetër, a duhet klubet që të presin edhe këtë vit ndihmë nga Ministria e Sportit për garat evropiane, Gjinovci thotë:
“Kemi thënë që klubet duhet t’i drejtohen Kuvendeve Komunale ku veprojnë, kurse kryetarët e komunave të bisedojnë me ministrin e sportit”. Mirëpo, klubet do të ishte mirë që të kanë një garanci financiare por edhe një fond të mirë të hendbollistëve që mos të kanë telashe në garat evropiane. “Duhet klubet të kanë potencial edhe të lojtarëve, edhe një lloj garancie nga Kuvendet Komunale për mjetet financiare, që mos të kemi dënime, sanksione të ndryshme nga EHF-i”, theksoi Gjinovci.
http://botasot.info/sporti/423854/me-9-klube-ne-kupat-evropiane/