Me 9 dhjetor Kosova do të fillojë prodhimi i letërnjoftimeve biometrike, bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi pas mbledhjes së Qeverisë. Ai tha se në bazë të kërkesës së komunitetit turk, në këto letërnjoftime do të përdoret edhe shkrimi në gjuhën turke.
Të gjithë pjesëtarët e komunitetit turk, do të pajisën me letërnjoftime dhe pasaporta biometrike në gjuhen turke. Ministri i punëve të brendshme Bajram Rexhepi tha se në bazë të Kushtetutës së Kosovës është e obliguar përdorimi i gjuhëve zyrtare, ndërsa në bazë të rregullave ligjore është e paraparë që edhe komuniteti turk, të ketë dokumente në gjuhën e tyre:
”Ka qenë kërkesa e mëhershme e komunitetit turk që kur të prodhohen letërnjoftimet biometrike për pjesëtarët e komunitetit turk të shkruhet edhe në gjuhën turke, ky ka qenë i paraparë edhe me dokumente të tilla dhe i kemi aplikimet e para nga komuniteti turk, si ministri Jagxhillar dhe disa deputetë të tjerë. Dhe mund tu informojë se me 9 dhjetor do të fillojë prodhimi i letërnjoftimeve biometrike ”, tha ministri Rexhepi, transmeton RTK.
Ndërsa ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhellar është shprehur i kënaqur me këtë të arritur, pasi më këtë respektohet edhe ligji për përdorimin e gjuhëve:
”Një për çështjeve të rëndësishme edhe sa i përket Kosovës por edhe Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit është edhe prodhimi i dokumenteve biometrike, pasaportave dhe letërnjoftimeve dhe vërtetë unë si qytetar i Republikës së Kosovës dhe pjesëtar i komunitetit turk, vec kam aplikuar për letërnjoftim biometrik, që tashmë është modeli, dhe përveç gjuhës shqipe, serbe dhe angleze do të jetë edhe në gjuhën turke, që ka qenë një kërkesë”, tha ai.
Sa i përket komuniteteve tjera që jetojnë në Kosovë, Ministri Rexhepi tha se ata kanë alfabet të ngjashëm me alfabetin latin, prandaj nuk është e domosdoshme aplikimi i një gjëje të tillë.