(për nxënësit e klasave IX, X, XI dhe XII)
Më 23.12.2017, të shtunën, në ora 10:00 do të mbahet Olimpiada Matematike e Gjilanit (OMGJ) për vitin shkollor 2017/18, për nxënësit e klasave të IX të SHMU dhe nxënësit e klasave X, XI e XII të SHML të Komunës së Gjilanit.
Kjo garë do të mbahet në Gjimnazin Natyror ,,Xhavit Ahmeti” në Gjilan, nën përkujdesjen e DKA-së së Gjilanit. Pas solemnitetit të hapjes së kësaj olimpiade, nxënësit garues në ora 11.00 fillojnë testin, njëkohësisht me bashkëmoshatarët e tyre nga tërë Kosova duke iu nënshtruar testeve të njëjta në varësi të klasave që vijojnë.
Nga: Festim Shkodra, koordinator i OMGJ 2018
Madhështinë e kësaj gare sivjet e rritë edhe fakti që po mbahet në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Aq më tepër që matematikanët e rinj gjilanas, po i kontribuojnë edhe afirmimit të shtetit tonë duke i sjellë atij edhe medalje olimpike, medalje nderi, lëvdata etj. nga Olimpiadat Botërore të Matematikës (IMO), por edhe duke u bërë pjesë e autorëve të detyrave të këtyre garave dhe garave tjera ndërkombëtare.
Për pjesëmarrje në këtë garë përzgjidhen më të mirët, në shkollat e tyre prej nga vijnë. Nga fituesit e Olimpiadës Matematike të Gjilanit, tre të parët e secilës prej klasave IX, X, XI dhe XII formohet ekipi përfaqësues i Komunës së Gjilanit, për pjesëmarrje në Olimpiadën Matematike të Kosovës (OMK) 2018, që do të mbahet më 27.01.2018, në Gjimnazin e Specializuar Matematikor në Prishtinë. Fituesve të OMGJ 2018, do t’iu dhurohen mirënjohje, medalje, libra dhe shpërblime të tjera modeste të siguruara nga DKA në Gjilan dhe ndonjë donator eventual privat, dashamir i arsimit dhe matematikës. Ekipi përfaqësues i Komunës së Gjilanit që do të përbëhet nga gjithsej 12 nxënës, parashihet të përkrahet edhe me ligjërata dhe ushtrime për pjesëmarrje sa më të suksesshme në OMK 2018. Sivjet olimpiadat matematike komunale po mbahen më herët me qëllim të lënies kohë për përgatitje sa më të mire të ekipeve komunale për pjesëmarrje në OMK 2018, e më pas përgatitjes së ekipit shtetëror për pjesëmarrje në IMO 2018.
Detyrat e OMGJ 2018 dhe OMK 2018, për klasën e IX, bazohen në standardin e arritshmërisë së klasës së IX, si dhe kërkohet njohje e programit mësimor të klasave paraprake shkollore. Ndërsa detyrat e për klasat X, XI dhe XII, bazohen në standardin e arritshmërisë së gjimnazit, të drejtimit natyror, të klasës përkatëse si dhe kërkohet njohje e programit mësimor të klasave paraprake të drejtimit natyror te gjimnazit dhe klasave paraprake të SHMU. Po ashtu detyrat e këtyre olimpiadave bazohen edhe në olimpiadat e ngjashme të shteteve tjera dhe Olimpiadave Ndërkombëtare të Matematikës. Sivjet në të gjitha komunat e Kosovës, nxënësit garues varësisht nga klasa që vijojnë, do t’i nënshtrohen njëkohësisht testit të njëjtë në olimpiadat e tyre komunale. Këto teste do të përpilohen nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (SHMK).
Olimpiadën Matematike të Kosovës e organizon Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (SHMK). Në Olimpiadën Matematike të Kosovës (OMK) 2018, do të shpërblehen tri vendet e para për secilën klasë (IX, X, XI dhe XII), përkatësisht me 200, 150 dhe 100 EUR si dhe mirënjohje. Në mungesë të fondeve mësimdhënësit e nxënësve fitues nuk do të shpërblehen materialisht por vetëm me mirënjohje. Njëzetë nxënësit më të suksesshëm të OMK-së 2018, i nënshtrohen disa muaj më vonë në Testit Seleksionues Final (TST), për përzgjedhjen e ekipit gjashtë anëtarësh të Kosovës për pjesëmarrje në Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare (IMO) 2018. IMO 2018 është olimpiada e LIX me rradhë dhe do të mbahet në Rumani, prej 03 – 14 Korrik 2018, ku Kosova është e ftuar të merr pjesë për herë të tetë, në cilësinë e anëtarit me të drejta të plota.
Për Gjilanin këtë qytet të matematikës, sivjet edhe viti kalendarik është i matematikës, sepse kjo është olimpiada e katërt me rëndësi të madhe që po mbahet brenda këtij viti. Pos tjerash, Komuna e Gjilanit sivjet organizoi me plot sukses dhe madhështi për herë të dytë Olimpiadën Matematike Mbarëkombëtare, duke e shndërruar Gjilanin për ato ditë edhe në kryeqytetin shqiptar të matematikës. Po ashtu sivjet Gjilani dhe Kosova në tërësi, për herë të parë u bënë pjesë Garës Botërore të Matematikës “ Kenguri pa kufi”. Shteti dhe shoqëria duhet t’i përkrahë sa më tepër këta të rinj të talentuar, sepse ata nesër do të jenë shtyllë tejet e fuqishme e zhvillimit të vendit dhe shoqërisë sonë.
Ju dëshirojmë shumë suksese të gjithë nxënësve që do të marrin pjesë në këtë olimpiadë në Gjilan dhe mbarë Kosovën.