Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka konfirmuar se balotazhi për 24 komunat tjera do të mbahet më 1 dhjetor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbrëmjen e së hënës ka shpallur rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit për 24 komuna të vendit, por jo edhe për katër komunat në veri të Mitrovicës.
Më 1 dhjetor garën në balotazh do ta vazhdojnë: Prishtina, Gjakova, Gjilani, Dragashi, Klina, Kamenica, Mitrovica, Lipjani, Novobërda, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Prizreni, Shtërpca, Suhareka, Ferizaj, Vitia, Vushtrria, Malisheva, Juniku, Graçanica, Parteshi, Ranillug dhe Kllokoti. Dhjetë komunat fituese në rundin e parë janë: Deçani, Skenderaj, Gllogoci, Podujeva, Shtimja, Kaçaniku, Hani i Elezit, Fushë-Kosova, Istogu dhe Mamusha, shkruan Indeksonline.
Në bazë të rezultatit preliminar për asambletë komunale, PDK-ja ka fituar shumicën e komunave, duke dalë e para në 13 komuna, e dyta në 6 komuna, e treta në 9 komuna. LDK-ja për asamble komunale ka dalë e para në 11 komuna, e dyta në 10 komuna dhe e treta në 6 komuna. Ndërsa AAK-LDD prin në 3 komuna, e dyta në 7 komuna, e treta në 8 komuna. Vetëvendosje! është e dyta vetëm në Prishtinë dhe e treta në dy komuna, kurse AKR-ja është e dyta në një komunë dhe e treta në një komunë tjetër.