Me qëllim të transparencës përballë qytetarëve të Kosovës, Ministria e Drejtësisë (MD), ofron sqarim, sa i përket transferimit të personave të paraburgosur nga një qendër e paraburgimit në tjetrën, përkatësisht ngjarjes që ka ndodhur dje me disa të paraburgosur.
Fillimisht, Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se të paraburgosurit S.L. S.J. dhe I.H, kanë qenë në QKUK me vendim të Gjykatësit të procedurës paraprake, përkatësisht Gjykatësit të EULEX-it.
“Lidhur me vendimin e gjykatësit të EULEX-it për transferimin e tyre në Qendrën e Paraburgimit (QP) në Mitrovicë, ministri është informuar nga mediet dhe pastaj ka kërkuar sqarim nga drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) dhe EULEX-i, lidhur me gjendjen e sigurisë që mund tu ofrohet të paraburgosurve në QP në Mitrovicë ku qasja e MD është e kufizuar. Kjo ka qenë arsyeja që Drejtori i SHKK nuk e ka realizuar transferimin pa marrë garancione për sigurinë e të paraburgosurve nga organet kompetente të SHKK dhe të EULEX-it”, thuhet në një sqarim të MD-së.
Në këtë kontekst, shtohet se “çështja e paraburgimit dhe çështjet tjera lidhur me procedurat penale janë kompetencë e institucioneve të pavarura si prokurorisë dhe gjykatave”.
“Ministria e Drejtësisë, si pjesë përbërëse e Qeverisë së Kosovës ka kompetenca komplet të ndara nga Gjyqësori dhe nuk ndërhyn në punën e gjykatave apo prokurorive. Në anën tjetër Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), si organ përgjegjës për ekzekutimin e sanksioneve penale, përfshirë këtu edhe masat e paraburgimit, në bazë të Ligjit për ekzekutimin e Sanksioneve Penale është organ qendror i Administratës Shtetërore dhe funksionon si agjencion në vartësi të Ministrisë së Drejtësisë”, vlerëson MD.
“Në rastin konkret, duke pasur parasysh natyrën e rastit, EULEX-i, në bazë të kompetencave ekskluzive për rastet e supozuara të krimeve të luftës që e ka sipas ligjeve në fuqi në Kosovë, ka pasur kompetenca edhe në rastin konkret të njohur si ‘Grupi i Drenicës’”.
Ministria e Drejtësisë, si në çdo rast edhe në këtë rast, vlerëson se ka kryer dhe do të kryej obligimet ligjore dhe ushtron kompetencat në përputhje me ligjin dhe fton secilin individ apo subjekt që të lexoj ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe të informohet më shumë për kompetencat që i takojnë MD-së dhe ato që nuk janë në kompetencë të MD-së