Mësimdhënës të Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, këtë të premte janë përshëndetur nga kolegu i tyre, Ekrem Kryeziu, profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, i cili pas një pune të palodhshme me dekada të tëra, me meritë është pensionuar.
Ishte vetë nisma e kolegut Ekrem Kryeziu, i cili kishte ftuar të gjithë mësimdhënësit e gjimnazit dhe stafin drejtues të shkollës që bashkërisht të mbahet një mbrëmje përshëndetëse, e cila është organizuar në Restorantin “Baresha”, ku të pranishëm ishin pothuajse të gjithë mësimdhënësit dhe drejtoria e shkollës, sikurse edhe disa profesorë që viteve të fundit ishin pensionuar.
Fillimisht, Bekim Mustafa, drejtor i Gjimnazit Natyror “Xahvit Ahmeti” në Gjilan, në emër të strukturave drejtuese të shkollës dhe të kolegëve e ka falënderuar profesorin Ekrem Kryeziu për punën dhe përkushtimin me nxënës, për kolegialitetin dhe miqësinë me të gjithë, duke thënë se profesori Ekrem ishte i dashur dhe i respektuar nga të gjithë, se profesori Ekrem do të mbete pjesë e jona, pjesë e gjimnazit.
“Je shembull i mirë për të gjithë ne dhe të tillë do të mbajë në kujtesë gjimnazi i ynë. Të faleminderit për të gjitha profesor Ekrem dhe të priftë e mbara dhe shëndeti, qofsh i lumtur e i gëzuar me të gjithë njerëzit, miqtë e familjen”, ka thënë Bekim Mustafa, drejtor në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”.
Ekrem Kryeziu, mësimdhënës i derisotshëm në Gjimnazin Natyror, ka falënderuar të gjithë kolegët për pjesëmarrjen në datëlindjen e tij të 65-të, që përkon edhe me pensionimin e tij, duke theksuar se për të është privilegj që fillimisht ka punuar në Gjimnazin “Zenel Hajdini” e më pas edhe në atë “Xhavit Ahmeti”
“Të punosh në gjimnaz nuk është vetëm privilegj e kënaqësi, por është edhe krenari”, ka thënë profesori Ekrem Kryeziu, që ka përmendur studiuesin e letërsisë Robert Elsie, që ka shkruar veprën “Fundi i një fillimi”, duke thënë se edhe ai tashti e ka fundin e karrierës së tij dhe ka shtuar se nëse e pyet dikush se a po mërzitet që po shkon , do t’i përgjigjej se natyrisht se i mungojnë këta njerëz, do t’i mungojnë zërat e cicërimat e atyre fëmijëve me të cilët është plakur dhe e ka kaluar një jetë të tërë dhe se do t’i zhurmisin si cicërimet e bilbilave në vesh. “Që po mërzitem, nuk po mërzitem aspak, madje jam shumë i lumtur që në këtë moshë kam arritur”, tha profesor Ekremi, andaj ai i ka uruar të gjithë kolegët që t’a mbërrijnë pensionimin, ngase edhe kjo ditë e ka shijen e vet dhe është fat që t’i mbushësh 65 vite me nxënës të mirë.
Ai në veçanti ka përshëndetur aktivin e gjuhës shqipe, që gjithmonë ishin kolegialë e posaçërisht kolegun e tij më të afërt, profesor Sami Durmishin, i cili gjithmonë iu gjet pranë.
Në këtë mbrëmje të veçantë, drejtori i shkollës Bekim Mustafa, zëvendësdrejtori Agim Asllani, profesoresha Hyrmyze Shkodra, Sami Durmishi, nga aktivi i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe profesori në pension Safet Rexhepi, i kanë dhuruar profesorit Ekrem Kryeziu disa dhurata që t’i mbetën në kujtesë për vite të tëra. Ky aheng përshëndetës ka zgjatur deri në orët e vona, me urimin për jetë të gjatë, shëndet të plotë e jetë të lumtur për profesorin Ekrem, pranë më të dashurve të tij. /2LONLINE/