Kuvendi i Republikës së Kosovës, është mbledhur sot në një seancë të veçantë, për nder të vizitës së Komisionerit të Bashkimit Evropian për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatave për Zgjerim, Johannes Hahn, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Në fjalën e tij mirëseardhëse, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, vizitën e Komisionerit Hahn dhe fjalën e tij në Kuvend, e konsideroi nder për Kosovën dhe dëshmi të përkushtimit të BE-së për të përkrahur Kosovën në procesin e integrimit evropian.
“Të hënën e kaluar Kuvendi ratifikoi MSA-në, marrëveshja e parë kontraktuale e shtetit tonë me BE-në. Tashmë ne e kemi të qartësuar rrugën e integrimit. Ajo që na duhet është ecja më e shpejtë në të dy drejtimet. Ne duhet të ecim më shpejtë në rrugën evropiane dhe kjo varet shumë nga vet puna jonë. Ne i kemi të qarta obligimet tona. Por, edhe Bashkimi Evropian duhet të ecë me shpejt në raport me Kosovën edhe qytetarët e saj në rrugën e integrimit. Të ketë një qasje të re dhe më dinamike. Në besojmë se edhe vizita juaj sot dhe fjalimi juaj i tanishëm në Kuvend, janë dëshmi të kësaj qasje të re të Bashkimit Evropian ndaj Republikës së Kosovës”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Duke marrë fjalën, Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, foli për rëndësinë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe të ratifikimit të saj nga Kuvendi i Kosovës. Ai njëkohësisht, shkoqiti edhe aspekte përmbajtësore të saj dhe u ndal në përfitimet që do të ketë Kosova nga zbatimi i kësaj marrëveshjeje.
Duke e konsideruar marrëveshjen të një rëndësie të veçantë për të ardhmen e Kosovës, Hahn tha se Kosova mund të mburret shumë me këtë arritje, e cila përfshin shumë punë të mundimshme nga njerëz të përfshirë në të dy anët. Komisioneri Hahn tha se marrëveshja përkrah veprimet e Kosovës drejt përvetësimit të demokracisë e zbatimit të ligjit, si dhe do t’i kontribuojë stabilitetit politik e institucional të vendit.
Kjo marrëveshje, shtoi Hahn, ka për qëllim dialogun politik dhe përkrahjen e Kosovës për përmirësimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Ajo ofron mundësi të bashkëpunimit në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa do të konsolidojë zbatimin e ligjit dhe administratën e drejtësisë. Marrëveshja gjithashtu, tha në vazhdim Komisioneri Hahn, është një shtytës për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
“Ajo do të zgjerojë marrëveshjet ekonomike midis BE-së dhe Kosovës, duke zhvilluar gradualisht një hapësirë të tregtisë së lirë. Do të inkurajojë edhe zhvillimin e rasteve për të bërë biznes për kompanitë e Bashkimit Evropian në Kosovë, por gjithashtu edhe për kompanitë e Kosovës në BE. Do t’i ndihmojë Kosovës që të zbatojë reformat e domosdoshme ekonomike, të përcaktuara nga zbatimi i ligjit, do të rrisë besimin e investitorëve të huaj dhe vendorë në Kosovë. E gjitha kjo do të krijojë një perspektivë ekonomike për qytetarët tuaj”, theksoi zyrtari i lartë i BE-së, ndërsa shtoi se marrëveshja do të krijojë edhe vende të reja të punës.
Duke folur për efektin e MSA-së në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal, Hahn tha se Kosova duhet t’i zbatojë marrëveshjet të cilat i ka arritur me Serbinë dhe duhet të vazhdojë drejt marrëveshjeve të reja. Kjo, shtoi Hahn, përfshin edhe marrjen e vendimeve të vështira dhe kërkon kurajë. Ai vlerësoi se në vitet e fundit Kosova ka demonstruar se mund t’ia dalë mbanë kësaj sfide dhe t’i plotësojë standardet, duke kuptuar se dialogu është në interesin e saj dhe të qytetarëve.
Duke folur për zhvillimet e kohëve të fundit të Kuvendin e Kosovës, Komisioneri i BE-së për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatave për Zgjerim, tha se duhet të këtë respekt për institucionet të cilat janë themeluar për të zbatuar qeverisjen demokratike dhe duhet të ketë zbatim të rregullave e procedurave, të cilat u mundësojnë këtyre institucione të bëjnë punën e tyre. Kjo, sipas tij, do të thotë se nuk do të duhej të ketë obstruksione ndaj diskursit politik të hapur dhe transparent.
“Obstruksioni dhe dhuna nuk kanë vend në një sistem demokratik. Ata të cilët bëjnë obstruksione kanë humbur argumentin para se të fillojë debati. Respekti për principet demokratike do të thotë se qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike mund të sjell propozimin te ju, dhe në këtë mënyrë ju do të keni rasti të debatoni këtë propozim në mënyrë të hapur, duke iu nënshtruar shqyrtimin demokratik, pa ndonjë obstruksion”, theksoi Hahn. Ai shtoi se respekti për principet demokratike do të thotë se ky Kuvend mund dhe do të luaj rolin e vet në atë që quhet balancim i pushtetit, përfshirë këtu edhe qeverinë, por vetëm me mjete demokratike.
Duke u kthyer edhe njëherë në procesin e integrimit evropian të Kosovës, Komisioneri Hahn tha se është duke u vlerësuar progresi i Kosovës drejt liberalizimit të vizave, ndërsa citoi Komisionerin përkatës të ketë thënë se “Kosova është duke ecur në kilometrin e fundit drejt statusit të liberalizmit të vizave”.
“Vlerësimi ynë prioritar është se Kosova ka bërë progres të madh drejt liberalizimit dhe kjo ka të bëjë edhe me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi”, tha Hahn.
Në përfundim të fjalës së tij para deputetëve të Kuvendit, Komisioneri i BE-së tha se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është një hap kryesor në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, ndërsa sfida e radhës është zbatimi i saj, i cili, sipas tij, ka të bëjë me të gjithë në Kosovë.
“Duhet të kalojë kohë që të shihen rezultatet e marrëveshjes. Marrëveshja nuk mund t’i rregullojë problemet e brendshme politike të Kosovës. Këto duhet t’i zgjidhni vet. Ne do të vazhdojmë të jemi afër, duke e përkrahur Kosovën që të dalë nga vështirësitë, por vendimet e duhura duhet të merren nga ju. Së bashku me ju, unë mezi pres që të fillojë zbatimi i saj në javën e ardhshme dhe të jeni të sigurtë se do të keni përkrahje dhe vëmendje të veçantë nga Bashkimi Evropian, për vendin tuaj shumë të bukur”, tha në fjalën e tij Komisioneri Johannes Hahn.
Duke e falënderuar z. Hahn për fjalën e tij në Kuvend, kryeparlamentari Veseli tha se Kosova e përket Evropës dhe qytetarët e saj janë të përcaktuar të arrijnë së shpejti në BE. “Shpresojmë që në vitin 2016 qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian, sepse ata vërtet e dëshirojnë këtë”, theksoi Veseli.