Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur të 52-tën me radhë, njëherit të fundit për këtë vit, në të cilën ka aprovuar shtatë projektligje, gjashtë koncept dokumente, dhe vendime të tjera.
Pika e parë që mori aprovimin e kabinetit qeveritar, ishte Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, qëllimi i të cilit është organizimi dhe funksionimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, mënyra e punës dhe procedurat e vendimmarrjes në Qeveri, bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë dhe institucioneve të tjera të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 03/l-174 për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/l-058 dhe ligjin nr. 04/l-122, si dhe ligjin nr. 03/l-073 për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 03/l-256. Si një prej objektivave kryesore që parashihet të arrihen me hyrjen në fuqi të këtij ligji, është rritja e transparencës dhe llogaridhënies të subjekteve politike në menaxhimin dhe shpenzimin e parasë publike, e cila shpenzohet gjatë financimit të fushatave të subjekteve politike dhe organizime tjera, të cilat realizohen para, gjatë dhe pas zgjedhjeve në Republikën e Kosovës.
Në mbledhjen e sotme është aprovuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi në Kontekstin e Aderimit në Bashkimin Evropian.
Po ashtu, në mbledhjen e sotme u miratua Projekt-kodi Civil i Republikës së Kosovës, i cili ka për qëllim rregullimin dhe harmonizimin e dispozitave ligjore të së drejtës civile. Ky projekt-kod është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, standardet ndërkombëtare dhe legjislacionit të Bashkimit Evropian, të aplikueshme në të drejtën civile.
Edhe Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, mori aprovimin e Qeverisë, qëllimi i të cilit është rregullimi, organizimi, kompetencat dhe procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme.
Në këtë mbledhje u miratua edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve, që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive.
Pas shqyrtimit, u miratua edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Statusin e Forcave në mes të Republikës së Kosovës dhe shtetit të Kuvajtit.
Kabineti qeveritar, miratoi edhe Projektligjin për Ushqim, qëllimi i të cilit është përcaktimi i parimeve dhe kërkesave të përgjithshme për sigurinë e ushqimit dhe ushqimit për kafshët, masave dhe procedurave lidhur me ushqimin dhe ushqimin për kafshët, si dhe përcaktimin e autoritetit kompetent për sigurinë e ushqimit dhe ushqimit për kafshët.
Me vendim të Qeverisë, u miratua vendimi preliminar për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i Projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK – sh.a), Zonat Kadastrale: Hade, Shipitullë, Palaj, Leshkoshiq, dhe Sibovc, Komuna Obiliq.
Në këtë mbledhje të Qeverisë, u miratua kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime, ndarje dhe harmonizime buxhetore në kategoritë e shpenzimeve, për të mundësuar harmonizimin e ndarjeve buxhetore të kategorisë paga dhe shtesa për muajin dhjetor për vitin 2021 dhe kategorive tjera të shpenzimeve.
Me vendim të qeverisë, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Punëve të Brendshme e datës 16.12.2021, për pagesën e orëve shtesë të punës gjatë 2021, në vlerë 513,872.89 € (pesëqind e trembëdhjetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e dy euro e tetëdhjete e nëntë cent), sipas listës së MPB për 766 (shtatëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) zjarrfikësit e njësive nëpër Komunat e Kosovës.
Nga Qeveria është shfuqizuar vendimi Nr.03/117 i datës 22.01.2020, sipas të cilit Fidaim Sahitit, i vazhdohej mandati i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës edhe për 3 (tre) vjet, me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë.
Me vendime të veçanta, në mbledhjen e sotme, Qeveria ka emëruar Fahrije Tërnava- Sheremeti, Sekretare të Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me mandat 4 vjeçar dhe Blerim Hasani, Sekretar të Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me mandat 4 vjeçar.
Në mbledhjen e qeverisë janë miratuar edhe gjashtë koncept dokumente:
– Koncept-dokumenti për gjendjen civile, i cili përfshinë një përshkrim të hollësishëm të politikës dhe kornizës ligjore ekzistuese, të institucioneve shtetërore përgjegjëse për zbatim.
– Koncept dokumenti për shtetësinë, i cili është në pajtueshmëri me politikat Qeveritare, të përcaktuara në Planin Strategjik dhe Operacional të Qeverisë për vitin 2021, konkretisht prioriteti strategjik, që ndërlidhet me harmonizimin e legjislacionit dhe avancimin e kapaciteteve institucionale në fushën e kontrollit, mbikëqyrjes dhe zbatimit të legjislacionit në fushën e shtetësisë.
– Koncept dokumenti për të huajt, është në pajtueshmëri me politikat Qeveritare, të përcaktuara në Planin Strategjik dhe Operacional të Qeverisë 2021, pjesë e Strategjisë për Migrim 2021-2025 gjithashtu lidhet me zbatimin e Acquis të BE-së, konkretisht me kapitullin 24.
– Koncept dokumenti për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë, i cili ka për qëllim përmirësimin e kornizës ligjore dhe rregullatore lidhur me zhvillimin dhe promovimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në sektorin e energjisë elektrike, ngrohjes dhe transportit. Si rezultat synohet të bëhet nxitja e investimeve nga sektori privat në fushën e BRE.
– Koncept dokumenti për tokën bujqësore, i cili është në pajtueshmëri me politikat Qeveritare, të përcaktuara në Planin Strategjik dhe Operacional të Qeverisë për vitin 2021 konkretisht ndërlidhja me Qëllimin Strategjik Menaxhimi i qëndrueshëm i resurseve natyrore (tokave bujqësore, pyjeve dhe ujit për ujitje)”.
– Koncept dokumenti për fushën e shpronësimit, i cili synon që përmes miratimit të ligjit të veçantë, të rregullojë zbrazëtirat ligjore të hasura gjatë zbatimit dhe do të rregullojë sfidat e reja të krijuara si rrjedhojë e problemeve të paraqitura në fushën e shpronësimit, duke ju dhënë zgjidhje problemeve me të cilat janë ballafaquar mbajtësit e të drejtave pronësore po ashtu edhe shfrytëzuesit në vendin tonë.
Me vendim të qeverisë, është miratuar edhe vendimi për themelimin e Task-Forcës për Mbrojtjen e Tregut të Republikës e Kosovës. Obligohet Task-Forca të vëzhgojë barrierat tregtare kundër Republikës së Ko¬so¬vës dhe të propozojë masa për mënjanimin e tyre. Ndërsa, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë obligohet të kryejë shër¬bimet e sekretarisë së Task-Forcës.
Është miratuar ndryshimi dhe plotësimi i vendimit të Qeverisë Nr. 03/49 i datës 08.12.2020, i plotësuar dhe ndryshuar me vendimet Nr.18/19, i datës 14.07.2021 dhe Nr.13/36 i datës 22.09.2021, si në vijim: Pika 1 e vendimit bazë Nr. 03/49 i datës 08.12.2020, ndryshohet ashtu që shuma e avancit të hapur, pas arsyetimit të shpenzimeve për produktet e pranuara, reduktohet në 168,922.71 € (njëqind e gjashtëdhjetë e tetëmijë e nëntëqind e njëzet e dy euro, e shtatë dhjete e një cent), shumë kjo e cila regjistrohet në SIMFK me kodin përkatës brenda vitit fiskal 2021, dhe bartet në vitin fiskal 2022. Pika dy (2) e Vendimit te Qeverisë Nr. 13/36, dt.22.09.2021, ndryshohet/plotësohet ashtu që afati i mbylljes se avansit të hapur shtyhet deri me datën 31.01.2022.
Pikat tjera të Vendimit të Qeverisë Nr. 03/49 të datës 08.12.2020 përveç atyre të përmendura në këtë vendim, mbeten të pandryshuara.
Miratimin e qeverisë e ka marrë edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.11/08, dt.21.04.2021. Pika 2 e këtij vendimi ndryshohet / plotësohet si në vijim: Shtyhet afati i mbylljes së avansit duke zgjatur afatin deri më 30.04.2022.
Kabineti qeveritar ka miratuar plotësimin dhe ndryshimin e pikës së parë të vendimit Nr. 07/10, të datës 30.04.2021, me ç‘rast shuma e avancit të hapur, pas arsyetimit të shpenzimeve për produktet e pranuara reduktohet në 730,935.07 € (shtatëqind e tridhjetë mijë e nëntëqind e tridhjetë e pesë euro, e shtatë cent). Po ashtu plotësohet dhe ndryshohet pika e dytë e vendimit Nr. 07/10 i datës 30.04.2021, ashtu që afati i avancit të hapur zgjatet për një afat shtese prej 6 muaj.
Po ashtu, është miratuar vendimi për aprovimin e metodës së pagesës direkte (pagesë e njëhershme) në formë të avancit tek UNOPS, në emër dhe për llogari të Ministrisë së Shëndetësisë, në vlerë prej 2,116,998.47 € (dy milionë e njëqind e gjashtëmbëdhjetëmijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e tetë euro, e dyzet e shtatë cent).
Me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, Ndryshohet dhe plotësohet pika 2.128 e Vendimit Nr.02/50 i datës 23.12.2021, si vijon: Udhëzimi Administrativ Nr.02/2012 për Tarifat e Përkohshme Noteriale, mbetet në fuqi deri në datën e hyrjes në fuqi të Udhëzimit të ri Administrativ për Tarifat e Noterëve, nxjerrë nga Ministria e Drejtësisë.
Në këtë mbledhje të Qeverisë është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Financave Punës dhe Transfereve për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej tre milionë euro (3,000,000.00€), për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për masën 4.6 – Mbështetja e Ndërmarrjeve Publike.
Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fillim të mbledhjes:
Të dashur qytetarë,
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,
Dy ditë para fundvitit, sot po mbajmë mbledhjen e fundit për vitin 2021. Në secilën prej saj, jemi mbledhur për të shpaguar përkrahjen dhe vullnetin demokratik të qytetarëve tanë; kemi votuar për secilën pikë të rendit të ditës, duke qenë të bindur se ashtu jetësojmë interesin e tyre dhe të vendit. Më lejoni që t’ju falënderoj gjithsecilin prej juve për angazhimin e sinqertë përgjatë këtyre nëntë muajve dhe për të gjitha propozim-vendimet nga ministritë tuaja gjatë këtyre 52 mbledhjeve të Qeverisë. Në emër të të gjithë juve, më lejoni që po ashtu të falënderoj stafin civil dhe administratën tonë, të cilët iu janë përgjigjur kërkesave tona për të qenë në krye të detyrës.
Secili vit i ka sfidat e tij. Ky vit, sikurse ai i kaluari, u mbizotëruan nga pandemia dhe pasojat e saj. Kufizimet, që secili prej nesh i ka përjetuar në aktivitetet tona të përditshme dhe të preferuara, nuk mund të krahasohen me dhimbjet, që disa prej nesh kanë ndjerë nga humbja e më të dashurve tanë, shkaktuar nga ky virus, që solli pandeminë. Andaj edhe një herë, në emër të Qeverisë shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të prekura nga pasojat e kësaj sëmundje.
2021-tën do ta kujtomë si vit, në të cilit shpresa, besim dhe vullneti për ndryshim, u bënë bashkë dhe të pathyeshëm. Mobilizimi i jashtëzakonshëm i qytetarëve të Republikës për t ‘na dhënë mbështetjen historike, është testament se sa i madh ka qenë zhgënjimi dhe zemërimi ndaj atyre, që qeverisën kaq keq për shumë gjatë, sa e madhe është nevoja dhe dëshira për ndryshim dhe sa e madhe është përgjegjësia jonë sot dhe nesër, këtu.
Le të jetë ky motivimi dhe udhërrëfyesi ynë përgjatë gjithë vitit 2022. Le të mbetemi të palëkundur në rrugëtimin tonë, t’i qëndrojmë besnik synimeve dhe vlerave tona dhe le të mos kursejmë asgjë nga ne për të përmbushur programin tonë qeverisës, që përveç se zotim i ynë, është pritshmëri e qytetarëve.
Të dashur qytetarë,
Të nderuar anëtarë të kabinetit Qeveritar,
Gëzuar Viti i Ri 2022. Ju uroj mbarësi dhe shëndet!