Mbjelljet vjeshtore në Komunën e Gjilanit tani më konsiderohen të përfunduara dhe siç thonë drejtuesit e Drejtorisë për Bujqësi, si edhe viteve tjera edhe këtë vit bujqit janë subvencionuar me rreth 200 mijë kg farë, kryesisht grurë, për rreth 800 fermer të Gjilanit, në kuadër të subvencionimit të mbjelljeve vjeshtore dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese të grurit, duke siguruar kështu farë cilësore dhe të përshtatshme për tokën e Gjilanit.
Drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë në Gjilan, Ramiz Ramadani, ka thënë se vlerësojnë se janë mbjellë me kulturë gruri rreth 3 mijë hektarë, ndërsa të subvencionuara kanë qenë rreth 830 hektarë. Ai tha se Komuna e Gjilanit kishte mbështetur të gjithë fermerët aplikues për farën e grurit, të cilët nuk janë përfshirë në skemën e mbjelljeve vjeshtore të Ministrisë së Bujqësisë.
Më tej Ramadani ka bërë të ditur se mbjellja është bërë në afatin optimal dhe kushtet agroklimatike kanë qenë jashtëzakonisht të favorshme.
“Duke vlerësuar mbi bazën e cilësisë së farës së grurit, kushtet klimatike dhe mbështetjen me agroteknikë të bujqve, vlerësojmë se kemi pas një nismë të mirë që do të rezultojnë pastaj me rendimente të mira”, ka thënë Ramadani.
Ai po ashtu shtoi se ekspertët e drejtorisë do të jenë afër bujqve me këshilla dhe se edhe zyra e tij do të jetë në disponim, ndërsa ka premtuar se subvencionimet dhe mbështetja e bujqve dhe fermerëve do të vazhdojnë edhe në të ardhmën.