/Shënim, me rastin e 17 vjetorit të çlirimit të Gjilanit/
/2L ONLINE/ – Në kujtesën e popullit të Gjilanit, është e freskët dita madhështore, e gëzimit, e 15 Qershorit 1999 – defilimit triumfues në qytet, të djemve dhe vajzave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët, të mbështetur nga forcat e NATO-s, sollën lirinë…!
Sot, në këtë ditë kremte të madhe historike, kujtojmë me krenari, dhe do të ruajmë në kujtesë brez pas brezi, sakrificat e mëdha të popullit shqiptarë, të gjakimit për liri. Më shumë se një shekull përpjekjeje për jetë a vdekje, beteja lufte të përgjakshme me pushtuesit serbë, që nga kolosët, emblema të Lëvizjes Kombëtare; Idriz Seferi, Mulla Idriz Gjilani, Kadri Zeka, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, deri te lufta e fundit triumfale e UÇK-së, prijësit të parë të saj, për Zonën e Gjilanit, Abdullah Tahiri dhe të dëshmorëve tjerë – ndërgjegjja më sublime dhe vetëdija e ngritur më e lartë, deri në piedestalin e vetëflijimit.
Të rënë në altarin e lirisë, ata sot prehen te qetë në “Kodrën e Dëshmorëve” dhe gjithandej të skalitur në bronz, për të na rikujtuar se janë garancë e përjetshme e lirisë, mbi gjakun e të cilëve janë ngritur themelet e shtetit të Kosovës. /2L ONLINE/