Më shumë se pesë mijë e pesëqind policë kosovarë do të jenë në detyrë më 3 nëntor, me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë. Zyrtarët e Policisë deklarojnë se në bazë të planit operacional, janë marrë të gjitha masat që gjendja e sigurisë të jetë e qetë.
“Janë marrë të gjitha masat nga ana e policisë, për kryerjen e të gjitha detyrave policore që ndërlidhen me procesin zgjedhor dhe janë bërë disa përgatitje në të gjitha drejtoritë rajonale. Faza e tretë e planit nënkupton ditën ‘Z’, apo ditën e zgjedhjeve ku kryesisht aktivitetet e policisë janë përcjellja e materialit sensitiv nga depot nëpër qendrat e votimit dhe menaxhimi i situatës së sigurisë në qendrat e votimit”, tha Brahim Sadriu, zëdhënës i Policisë së Kosovës.
Nga ana tjetër, edhe zyrtarët e EULEX-it, thanë se policia e EULEX-it do të mbështesë Policinë e Kosovës me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe do të jetë në gjendje gatishmëri për çdo gjë.
Zëdhënësi EULEX-it, Blerim Krasniqi, shpjegoi për Radion Evropa e Lirë se që nga shtatori, misioni ka punuar me Policinë e Kosovës sa i përket përgatitjeve për zgjedhjet dhe ka dhënë këshilla për hartimin e planit operacional të Policisë së Kosovës.
EULEX-i, tha Krasniqi, do t’i kushtojë vëmendje të veçantë veriut të Kosovës me rastin e zgjedhjeve dhe për këtë arsye, u shpreh ai, do të rritet prania e policisë në veri gjatë zgjedhjeve./koha.net/