(2L ONLINE) – Nën organizimin e asociacionit alternativ të shkrimtarëve, Ars Clubit “Beqir Musliu” dhe, i mbështetur nga MKRS e Komuna e Gjilanit, për herë të katërt radhazi është mbajtur manifestimi rajonal i poezisë, “Trekëndëshi poetik i paqes”.
Në këtë ngjarje kulturore që përherë e më shumë po avancon drejt një ngjarje të rëndësishme në sferën e kulturës, në veçanti të asaj të poezisë, e cila simbolikisht dhe tashmë tradicionalisht mbahet në trekëndëshin kufitar Kosovë – Kosovë Lindore dhe Maqedoni, përkatësisht në lokacionin e fshatit malor Dunav, me poezitë e tyre u paraqitën mbi 30 krijues të poezisë e letërsisë si nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova Lindore.
Përveç deklamimit të poezive nuk mungoi as argëtimi , valle e muzikë me surle e tupanë por edhe dreka tradicionale e shtruar për të gjithë të pranishmit.
Përndryshe, në këtë ngjarje kulturore morën pjesë edhe kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri si dhe Hajdin Abazi përfaqësues nga Ministria e Kulturës institucione këto që e ndihmuan organizimin e këtij manifestimi. Edhe nga Haziri edhe nga Abazi u tha se ngjarje të tilla ku i bëjnë bashkë poetët e rajonit në këtë trekëndësh, do të mbështeten edhe në të ardhmen sepse janë organizime me vlerë.
Në fjalën e rastit nikoqiri i takimit, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, vlerësoi lartë punën e poetëve, duke thënë poetët dhe zogjtë e mbërrijnë qëllimin e bashkimit me anë të poezisë, por ne duhet ta bëjmë të prekshme lëvizjen e lirë.
“Ju faleminderit shumë për prezencën dhe ju dëshiroj që të kaloni sa më mirë në këtë aktivitet dhe sa më afër qëllimit. Lajmi i mirë është që manifestimi i ardhshëm, Dunavt, Stanqiqin etj., besojmë se do t’i gjej me kufinj të hapur, do të funksionalizohet kjo cështje dhe sa i përket rrugës, do të mundësojmë që të hapet traseja dhe të bëhet e kalueshme. Mesazhi juaj neve na bënë që të jemi të fjalës. Jemi në vendlindhjen e Idriz Sefrit, Agim Ramadanit e Beqir Musliut dhe besoj shumë që takimet tjera të jenë edhe më masive në kuptimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve. Poetët dhe zogjtë e mbërrijnë qëllimin e bashkimit me anë të poezisë, por ne duhet ta bëjmë të prekshme lëvizjen e lirë”, tha Haziri
Basri Capriqi nga Pen Qendra e Kosovës tha se është rast i mirë të takojmë njëri-tjetrin dhe me këtë t’i japim paqes kuptim, ndërsa uroi që ky takim të shkoj mbarë dhe të rritet duke u bërë manifestim i përmasave ndërkombëtare.
E në emër të organizatorit Sabit Rrustemi ka thënë se ky manifestim po mbahet në nderim të Ditës së Lirisë për Kosovën, është ngjarje përkushtuese, krijon njohje, afri e mirëkuptim dhe paqe mes poetëve e vendeve të rajonit por, edhe afirmon letërsinë e këtij mikrorajoni .
Përndryshe, organizatori ka nderuar me mirënjohje tri organizimet e krijuesve, si ata nga Shqipëria, Maqedonia e Kosova Lindore, të cilëve po ashtu iu është dhënë nga një komplet botimesh të Ars Clubit “Beqir Musliu”. /2L ONLINE/