(2LONLINE) – Qytetarët gjilanas por edhe bizneset janë duke u vetëdijesuar sa i përket respektimit të ligjit për duhan, kanë thënë drejtues të inspekcionit në Gjilan, ndonëse e pranojnë se në këtë ndërgjegjësim të tyre ka gisht edhe moti i mirë.
Megjithatë, ata thanë se ekipet kanë punuar dhe po punojnë vazhdimisht në terren dhe nuk kanë munguar edhe rate kur ky ligj është shkelë e me këtë janë shqiptuar edhe gjobat e parapara me ligj.
Selver Xhelili, drejtor i Inspekcionit Komunal ka vlerësuar qytetarët por edhe bizneset që dita ditës po tregohen më të ndërgjegjshëm dhe po e respektojnë ligjin në fjalë. Ai tha se po bashkëpunojnë me zyrtarë të kësaj drejtorie, si me inspektorët që po dalin në vazhdimësi në terren dhe në këtë drejtim ai i ka falënderuar qytetarët. Bashkërisht, ka thënë ai, do të punojnë në drejtim të zbatueshmërisë së plotë të këtij ligji.
Xhelili ka bërë me dije se me përmirësimin e kohës por edhe me hapat që i kanë ndërmarrë bizneset, ligji për duhan gjen zbatueshmëri por se megjithatë inspektorët nuk do të ndalen asnjëherë dhe se shkelësit e këtij ligji do të përballen me të gjitha ato që i parasheh ligji.
Në këtë drejtim, Xhelili ka thënë se janë shqiptuar deri më tani mbi 30 gjoba, si për qytetarë si për biznese që kanë shkelur ligjin në fjalë dhe nuk do të ketë hezitim në këtë çështje. /2lonline/