Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa thotë se mbajtja e zgjedhjeve në pjesën e parë të këtij viti, është zgjidhja më e mirë. Këtë, i pari i LDK-së i ka thënë, në selinë e partisë së tij, ambasadorit të Britanisë së Madhe Ian Clif dhe ambasadores së Francës Maryse Daviet.
Mustafa ka njoftuar se gjatë ditës ka takuar ndaras, ambasadorët Clif dhe Daviet, me të cilët ka biseduar për disa çështje që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, zgjedhjet e ardhshme dhe funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Mustafa beson se brishtësia e shumicës parlamentare, kërkon zgjedhje të shpejta.
“Shpreha bindjen tonë se intensifikimi i procesit të reformave dhe mbajtja e zgjedhjeve të rregullta nacionale në pjesën e parë të këtij viti është zgjidhja më e mirë, për shkak se shumica parlamentare tani është tepër e brishtë dhe jofunksionale”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij në Facebook.
Në këto takime, Mustafa thotë se ka ripërsëritur qëndrimet e LDK-së lidhur me reformën zgjedhore dhe vendet e rezervuara.
“Rikonfirmova edhe një herë qëndrimin e LDK-së për përkrahjen e reformës zgjedhore në suaza të mundësive që lejon Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe vlerësimin se Kosova ka përmbushur detyrimet e saj sipas Pakos së Ahtisarit dhe Kushtetutës për vendet e rezervuara dhe se zgjatja e mëtutjeshme e këtyre vendeve nuk përkrahet nga LDK”, ka shkruar Mustafa.