Komuna e Kamenicës ka mirëpritur Avokatin e Popullit, Naim Qelaj me bashkëpunëtorët e tij të cilët organizuan një tryezë diskutimi me pjesëmarrës nga shoqëria civile, përfaqësues të institucioneve publike, media dhe aktivistë në Kamenicë.
Në këtë tryezë është diskutuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, trajtimi i barabartë dhe pa diskriminim, si dhe sfidat për respektimin e tyre.
Në këtë takim, pjesëmarrësit dëgjuan për mandatin, rolin dhe kompetencat e Avokatit të Popullit, si dhe si kryhen hetimet në këtë institucion për ankesat e qytetarëve.
“Secili individ duhet të gëzojë të drejtat e veta për një jetë më të dinjitetshme, për një jetë më të sigurt dhe me perspektivë për të ardhmen. Po ashtu, secili mekanizëm shtetëror duhet të kryejë punën e vet kur vjen në pyetje ndonjë shkelje e të drejtave të njeriut,” tha Naim Qelaj – Avokat i Popullit.
Në këtë diskutim u shpalosen shumë çështje dhe sfida duke u nisur nga ato sociale, të arsimit, sfidat e personave me aftësi të kufizuara në qasje në rrugë e çështje tjera.
Avokati i Popullit falenderoi Koordinatoren e NJKDNJ-së, Nazmije Demolli Kastrati për bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta në mes NJKDNJ-së dhe IAP-së vite me rradhë duke uruar që ky bashkëpunim të vazhdoj edhe në të ardhmen.
Pjesëmarrësit kërkuan që takime të tilla të ndodhin edhe në të ardhmen duke veçuar Institucionin e Avokatit të Popullit si një adresë e veçantë për të adresuar sfidat dhe problemet e tyre.
Fushata “Barazi për të gjithë” ka filluar më 1 mars 2022 , tryeza e parë është mbajtur në Prishtinë, më pas në Graqanicë e sot në Kamenicë. /2LONLINE/