Në kuadër të Ditës së Çlirimit të Komunës së Kamenicës është mbajtur tryezë shkencore me titull “Një vështrim historik dhe shkencor”.
Kjo tryezë e organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka mbledhur profesorë e njohës të kontekstit historik të asaj që vendi ka kaluar përgjatë luftërave të ndryshme si dhe përpjekjet e vazhdueshme të tij për arritje të lirisë.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj u ka uruar mirëseardhje profesorëve universitar, duke thënë se është shumë e rëndësishme që kur flasim për historinë, për më tepër kur qasja është edhe shkkencore, nuk duhet kontribuar apo përkufizuar si zonë e ndarë nga tërësia, sepse në këtë rast kemi të bëjmë me një tërësi që është kombëtare.
“Zona, rajoni apo vendbanimi është e duhet të jetë pjesë përbërëse e qëllimeve kombëtare”-ka thënë Kryetari Rahimaj.
Profesorët të cilët janë prezantuar me kumtesat e tyre janë:
Prof. Dr. Bujar Dugolli-“Personalitetet që bënë histori për Kosovën nga rajoni i Kamenicës gjatë viteve 1945-1999,
Prof.Dr.Mrika Limani-Myrtaj-“Aspektet sociale mbi pjesëmarrjen e grave të Dardanës në lëvizje disidente dhe luftën çlirimtare”,
Prof.Dr. Mentor Hasani-“Praktikat e segregacionit dhe diskriminimit etnik nëpër shkollat shqipe”,
Prof. Dr. Skënder Lutfiu-“Trashëgimia kulturore e Kamenicës”,
Prof. Durim Avdullahu-“Lufta e Kosovës në literaturën në gjuhën angleze”,
Prof. Oktaj Hasani-“Kriza e tretë lindore dhe shpërngulja e shqiptaëve nga sanxhaku i Nishit dhe vendosja e disa familjeve në qytetin e Kamenicës”.
Të pranishëm në këtë tryezë kanë qenë edhe pjesëtarë nga Klubi Letrar “Nositi”, në mesin e tyre Nexhat Rexha i cili ka vlerësuar lartë tryezën e organizuar duke thënë që përbërja e cila është prezantuar të jetë edhe e shkruar sepse vetëm ashtu mund të ruhen të dhëna që janë domethënëse edhe për ditën në fjalë por edhe për historinë e re. /2LONLINE/