Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e komunës së Kamenicës, ka mbajtur takimin me temë “Tetori-Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit”, në kuadër të “Muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit”.
Në këtë takim kanë marr pjesë: Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, Drejtoresha për Shëndetësisë dhe Mirëqenie Sociale, Eurona Hoda, Drejtori i QKMF-së, Dr.Latif Sylaj, Radiologu Dr.Muharrem Sadiki, kryeinfermjerja e QKMF-së Bsc.Nafije Ajvazi, Infermjerja Bsc.Sherife Berisha, Drejtorë e Zyrtarë Komunal, Koordinatorja e NJKDNJ-së, përfaqësues të OJQ-ve, mjekë, si dhe qytetarë.
I pari i Komunës Kadri Rahimaj ka thënë se është përgjegjësi e qeverisjes që qytetarëve t’iu sigurojë infrastrukturë publike për mirëqenie sa më të mirë.
“Kemi përgjegjësi para çdo qytetari që të krijojmë infrastrukturë publike, të sigurojmë mjetet që duhen për të rregulluar jetën e tyre, e sidomos kur është në pyetje shëndeti. Ajo që na ka sfiduar për një kohë të gjatë ka qenë aparatura dhe njerëzit profesionist që të kryejnë shërbimet dhe të lehtësojnë jetën e grave, vajzave që dihet se atakohen më shumë nga kjo sëmundje. Kurse, sot kur kemi mamografin, radiologun dhe motren medicionale që do të asistojë gjatë gjithë kohës. Andaj neve na mbetet që t’iu bëjmë thirrje të gjithëve që të vazhdojnë t’i bëjnë kontrollet. Duhet të punojmë që të vetëdijësojmë të tjerët për këtë sëmundje, për rëndësinë që ka mamografi”, ka thënë Kryetari Rahimaj.
Drejtoresha Eurona Hoda theksoi rëndësinë e zbulimit të hershëm të kësaj sëmundje.
“Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit dhe fjongoja rozë është simbol i luftës kundër kësaj sëmundjeje. Kanceri i gjirit është lloji i kancerit më i diagnostifikuari që përbën 1 në 8 diagnoza të kancerit në mbarë botën. Në vitin 2020 ka pasur rrreth 2.3 milion raste të reja të kancerit në nivel global, e edhe në Kosovë ka ritje të numrit të grave të prekura nga kjo sëmundje. Andaj unë u bëjë thirrje grave që të vazhdojnë të kërkojnë këshilla dhe kontrolle në mënyrë që të zbulojnë kancerin e gjirit në fazën më të hershme të mundshme”, ka thënë ajo.
Kurse Drejtori i QKMF-së, Latif Sylaj, ka thënë se kanceri i gjirit është sëmundje ku qelizat rriten jashtë kontrollit.
“Kjo sëmundje fillon me ndryshime në pjesën e gjirit dhe përhapet edhe në pjesë të tjera. Nga kjo sëmundje atakohen të dy gjinitë, gratë ku përqindja është më e madhe por edhe burrat. I prekë të gjitha moshat e sidomos ato mbi 50 vjet. Është e rëndësishme që të bëhet vetëkontrolli i gjirit, ekzaminimi me kohë, mamografia, ultrazani, të gjitha këto faza në mënyrë që zbulimi të jetë më i hershëm.
Nga ana tjetër Radiologu Muharrem Sadiki ka folur për rëndësinë e mamografit duke u bërë thirrje që sa më shumë ta bëjnë mamografinë.
“Rëndësia e mamografit është tejet e madhe e sidomos që ka ardhur në kohë të përshtatshme. Kamenica e ka një përparësi të madhe për parandalimin dhe diagnostifikimin e hershëm dhe me kohë për kancerin e gjirit, andaj mamografi ka rëndësi të madhe për zbulim të hershëm. Poashtu kanceri nuk atakon vetëm gratë por edhe meshkujt, dhe madje tek ata ëshhtë më i egër. Duhet pasur kujdes në çdo ndryshim të gjirit si te femrat edhe te meshkujt”, ka theksuar ai.
Ndërsa Infermjerja Bsc.Sherife Berisha ka thënë se nga ora 08:00 deri në orën 14:00 nga e hëna deri të premtën punon mamografi, andaj ajo iu ka bërë thirrje të gjitha grave që të bëjnë termine dhe ta bëjnë mamografinë e cila është falas. /2LONLINE/