Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu dhe prokurorja Rabije Jakupi nga Departamenti për të Mitur të kësaj prokurorie, njëherit edhe koordinatore regjionale për veprat penale kundër integritetit seksual, ka mbajtur takim në Prokurorinë Themelore në Gjilan, me përfaqësues nga Policia e Kosovës, Qendra për Punë Sociale, Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, përfaqësues nga strehimorja.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan Arben Kadriu, hapi takimin duke theksuar rëndësinë e takimit, dhe rëndësinë e koordinimit te institucioneve përkatëse në mënyrë që të minimizohen rastet e veprave penale kundër integritetit seksual.
Gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me koordinimin me akterët të cilët merren me hetimin e rasteve të dhunës seksuale, sfidat dhe synimet e grupit ndërinstitucional për luftimin e rasteve të dhunës seksuale, mundësia e organizimit të ligjëratave me nxënës të shkollave të mesme – me qëllim të informimit më të mire në rastet e veprave penale kundër integritetit seksual, kapacitet e Strehimores në Gjilan dhe trajtimi i viktimave në strehimore.
Gjithashtu, në këtë takim, të pranishmit shprehen shqetësimin e tyre në rritjen e numrit të këtyre rasteve dhe diskutuan sfidat që paraqiten në përditshmëri gjatë trajtimit të rasteve të kësaj natyre, ku ndër të tjera u dhanë edhe rekomandime të mbahen takime të rregullta , vetëdijësuese edhe nëpër shkolla, ku të pranishëm të jenë përfaqësues nga këto institucione, si dhe u dakorduan që bashkëpunimi mes tyre të vazhdoj duke u mbajtur këto takime të rregullta me qëllim të trajtimit në mënyrë të drejtë dhe efikase të këtyre rasteve. /2LONLINE/