Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, z.Shukri Jashari, ka mbajtur takim në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, me përfaqësues nga Policia e Kosovës, Qendra për Punë Sociale, Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, si dhe prokuroren znj.Sebahate Sinani, nga Departamenti i Krimeve të Rënda të kësaj prokurorie.
Gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me bashkëpunimin ndërinstitucional dhe përgjegjësitë e institucioneve kompetente për trajtimin e rasteve lidhur me veprat penale kundër integritetit seksual.
Gjithashtu, në këtë takim, të pranishmit shprehen shqetësimin e tyre në rritjen e numrit të këtyre rasteve dhe diskutuan sfidat që paraqiten në përditshmëri gjatë trajtimit të rasteve të kësaj natyre dhe si të veprohet dhe harmonizohen sa më shumë veprimet ndërinstitucionale në trajtimin dhe zgjidhjen e rasteve të kësaj natyre.
Po ashtu, në këtë takim, u dhanë rekomandime të mbahen takime të rregullta të kësaj natyre edhe nëpër shkolla, ku të pranishëm të jenë përfaqësues nga këto institucione, si dhe u dakorduan që bashkëpunimi mes tyre të vazhdoj duke u mbajtur këto takime të rregullta me qëllim të trajtimit në mënyrë të drejtë dhe efikase të këtyre rasteve. /2LONLINE/