Është mbajtur punëtoria për persona të zhdukur e organizuar nga Komisioni Qeveritar Për Persona të Zhdukur mbështetur nga Ambasada Britanike ndërsa implementuar nga UNDP.
Pjesëmarrëse nga Komuna e Kamenicës, në cilësinë e Zyrtarës Komunale për Persona të Zhdukur, ishte edhe Nexhmije Kallaba.
Në këtë punëtori morën pjesë edhe: Prenk Gjetaj , kryetar i Komisionit Qeveritar për persona të zhdukur,Ibrahim Makolli , udhëheqës i delegacionit në dialogun ma Serbinë për Persona të Pagjetur,Nesrete Kumnova , nga OJQ, “Thirrjet e Nënave” për persona të pagjetur, Ahmet Grajqevci,përfaqësues i Këshillit Koordinativ te shoqatave të personave të pagjetur, major Fadil Gashi Drejtor i Departamentit për Krime Lufte nga Policia e Kosovës, Ilir Gutaj, Drejtor i Departamentit për Drejtësi Tranzicionale nga Ministria e Drejtësisë, dhe zyrtarët komunal për persona të pagjetur nga shumica e Komunave të Kosovës.
Gjatë diskutimit u tha se kjo është kategoria më e prekur e qytetarëve të Kosovës dhe se në Kosovë janë edhe 1645 persona të pagjetur.
Pas punës tre ditore dhe paraqitjeve të shumta nga të gjitha palët nga kjo punëtori u nxorrën këto rekomandime:
1. Komunave t’u dërgohet lista e të pagjeturve sipas komunave.
2. Të hartohet një listë e të gjitha datave përkujtimore për të gjitha komunat.
3. Të hapet një web-faqe për persona të pagjetur që do të ndihmonte qasjen në informacione lidhur me këtë kategori,
4. Të rregullohet dhe të përfundohet memoriali qendror në Prishtinë, dedikuar personave të pagjetur.
5. Të rritet bashkëpunimi dhe komunikimi mes mekanizmave qeveritar dhe joqeveritar të cilët merren me persona të pagjetur.
6. Të unifikohet kartela për persona të zhdukur, e cila do ju mundësojnë familiarve t’i realizojnë të drejtat e veta.
7. Të përshpejtohet votimi ndryshimit te ligjit (apo ligjit te ri ) në Kuvendin e Kosovës.