Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, në Kamenicë është mbajtur një ligjëratë sensibilizuese për këtë sëmundje.
Të pranishëm në këtë ligjëratë ishin Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Eurona Hoda, Drejtori i QKMF-së, Latif Sylaj, Radiologu Muharrem Sadiki, Kryeinfermierja e QKMF-së, Nafije Ajvazi, Inferemiere Sherife Berisha, zyrtare komunale, qytetarë dhe të tjerë.
Drejtoresha Eurona Hoda ka hapur këtë ligjëratë duke u bërë thirrje grave që të vazhdojnë të kërkojnë këshilla dhe kontrolle në mënyrë që të zbulojnë kancerin e gjirit në fazën më të hershme të mundshme.
“Duhet të vazhdojmë të përhapim ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, gjatë tetorit rozë dhe më pas. Kanceri na shqetëson të gjithëve, në një mënyrë ose në një tjetër. Një betejë që nuk është vetëm fizike, por edhe emocionale dhe psikologjike, dhe me një trajtim që sjell edhe ndryshime të mëdha nga ana fizike”, ka thënë ajo.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kamenicë, Latif Sylaj, ka thënë se çdo vonesë kushton me jetë.
“Ne e kemi edhe mamografin, pra nuk kemi pritje as vonesa. Andaj ejani dhe bëni kontrollet, mos të bëhet vonë”, është shprehur ai.
Kryeinfermierja e QKMF-së, Nafije Ajvazi, tha se duhet çdo ditë të bëhet promovim për kontrolle që të diagnostifikohet me kohë kjo sëmundje.
“Ne nuk e kemi vetem këtë muaj apo këtë ditë. Ne çdo ditë duhet të bëjmë promovim për këtë sëmundje që ka marr mas globale. Apeloj tek gratë që të marrin këshilla, informata. Ne jemi me fat që e kemi edhe doktorin, por edhe mamografin. Zbulimini hershëm shpëton jetë”, ka thënë ajo duke shpalosur rastet që kanë bërë mamografi deri më tani.
“Në QKMF që nga Qershori i vitit të kaluar kur ka ardhur mamografi, janë bërë 700 mamografi, ku mosha e femrave është 37 deri në 80 vjet. Numri më i madh i grave të ekzaminuara është nga mosha 45-60 vjet. Kemi pasur ekzaminime të grave edhe nga komunitetet tjera por edhe nga komunat e tjera. Nga gratë e ekzaminuara janë 21 raste të diagnostifikura, e që e kanë bërë mamografinë dhe kontrolle tjera, ku mosha e tyre është nga 39 deri 74 vjet. Për këtë arsye apelojmë të vini për një mamografi e sidomos ato që janë mbi 40 vjet”, është shprehur ajo.
Radiologu Muharrem Sadiki, ka ligjëruar për fazat e kësaj sëmundje, duke treguar se si duhet t’i bindim gratë të bëjnë mamografinë.
“Në Kamenicë ka pasur shumë raste fatkeqësisht që janë ekzaminuar, dhe janë diagnostifikuar. Në Shtator të vitit 2022, janë bërë 30 mamografi, në Tetor 90 mamografi. Por këto 90 mamografi duhet të bëhen në çdo muaj dhe jo vetëm në tetor. Andaj duhet t’i bindim më shumë që të bëjnë mamografi”, ka thënë ai.
Kjo ligjëratë ka përfunduar me ecjën tradicionale në sheshin e qytetit të Kamenicës. /2LONLINE/