Grupi për hartimin e Draft-Planin Lokal të Transportit për Komunën e Kamenicës 2024-2028 ka mbajtur konsultimin publik për këtë dokument.
Të pranishëm në këtë konsultim ishin Drejtori i Shërbimëve Publike, Ambientit dhe Inspektoratit, Zotrim Kastrati, Drejtoresha e Prones, Kadastrit dhe Gjeodezisë, Diana Kryeziu-Ajvazi, zyrtarë komunal dhe të tjerë.
Në këtë takim kryesuesi i grupit punues Hysen Jerliu ka prezantuar Draft-Planin duke thënë se është një plan strategjik zhvillimor nga fusha e komunikacionit për komunën e Kamenicës.
“Me këtë plan, tentohet fillimi i planifikimit të transportit rrugor të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion. Nga aspekti i komunikacionit, ky plan do të shërbejë si bazë e mirë për përpilimin e planeve dhe projekteve në komunën e Kamenicës, të cilat ndërlidhen me fushën e komunikacionit. Realizimi i Planit Lokal të Transportit Rrugor për Komunën e Kamenicës ka për qëllim uljen e shkallës së motorizimit, duke promovuar forma të tjera të lëvizjes, si zhvillimin e çiklizmit dhe krijimin e hapësirave për ecje në këmbë, përkatësisht krijimin e kushteve infrastrukturore me qëllim të akomodimit të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion”, është shprehur ai.
Ai duke prezantuar këtë dokument theksoi se hartimi i Planit Lokal të Transportit Rrugor mundëson krijimin e një sistemi të qëndrueshëm të sistemit të transportit dhe lëvizjeve të tjera (lëvizjeve të motorizuara dhe të pa motorizuara) me qëllim që të krijojnë:
• sigurimin e qasjes sa më të lehtë për lëvizjet ditore dhe shërbime të tjera
• përmirësimin e shkallës së sigurisë
• zvogëlimin e ndotjes së ambientit
• rritjen e efikasitetit dhe ekonomicitetit gjatë transportit të njerëzve dhe të mallrave
• rritjen e atraktivitetit dhe kualitetin e mjedisit urban.
Pasi kryesuesi Hysen Jerliu ka prezantuar Draft-Planin në tërësi, është hapur diskutimi për pyetje dhe komente nga të pranishmit. /2LONLINE/