Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit, mbajtën takimin: “Ndërtimi i bashkëpunimit ndërkomunal ndërmjet këshillave komunale për siguri në bashkësi të Gjilanit dhe komunave për rreth”.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, tha se rëndësia e këtij takimi është e madhe, pasi po diskutohet me komunat fqinje lidhur me aspektet e rendit, sigurisë dhe çështjeve të përbashkëta: si qenët endacakë, menaxhimi i mbeturinave, sigurimi i ujit të pijes e të tjera.
“Bashkëpunimi dhe veprimi ndërmjet komunave tona nuk ka munguar, por se do të forcohet edhe më shumë në të ardhmen”, tha Morina Bunjaku.
Nënkryetarja e Gjilanit, theksoi se misioni i të gjithëve është përmirësimi i rendit dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve pa dallim.
Gloria Funcheon, zyrtare për të drejtat e njeriut në OSBE, tha se ky forum i hapur mbledh anëtarët e këshillave komunale për siguri në bashkësi nga të gjitha komunitetet që të diskutojnë çështjet e përbashkëta të rendit dhe sigurisë në të githa komunat.
Sipas saj, forumi do të ofrojë mundësi për të negociuar për bashkëpunim më të madh ndërkomunal dhe për të vendosur për ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta në të ardhmen me qëllim të përmirësimit të rendit dhe sigurisë së të gjithë banorëve.
Basri Shkodra, komandant i Stacionit Policor Kufitar Dheu i Bardhë, tha se situata e sigurisë gjatë këtij viti në Pikën Kufitare Dhe i Bardhë ishte stabile.
“Gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti ka pasur rënie të kriminalitetit në zonën tonë kufitare”, tha Basri Shkodra.
Komandanti i Stacionit Policor Kufitar Dheu i Bardhë, tha se nga 1 janari deri me 30 shtator në Pikë Kalimin Kufitar Dheu i Bardhë, kanë kaluar mbi 1.6 milionë qytetarë me mbi 600 mijë automjete.
Bejtullah Osmani, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Gjilanit dhe koordinator i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, tha se kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm me komunat fqinje për rend dhe siguri. /2LONLINE/