(2L ONLINE) – Është mbajtur Debati Publik për projekt-propozimin për Buxhetin e Komunës së Gjilanit për vitin fiskal 2015, të cilin e ka organizuar Komiteti për Politikë dhe Financa i Kuvendit Komunal të Gjilanit, e të cilin e ka udhëhequr kryesuesja Valentina Bunjaku – Rexhepi.
Në debat kanë marrë drejtorët, zyrtarët financiar komunal si dhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të cilët u interesuan për shumë çështje sa u përket investimeve komunale.
U.d. i drejtorit për Buxhet dhe Financa, Ilmi Limoni, tha se Komuna e Gjilanit me kornizën afatmesme buxhetore ka kërkuar buxhet prej 25.712.079 euro, duke pasur parasysh ngritjen e pagave prej 25 % nga qeveria, ndërsa në qarkorën e dytë buxhetore Ministria e Financave më 08.08.2014 e ka kufizuar buxhetin në 21.839.768 euro, që i bie afro 4 milionë më pak sesa ka kërkuar Komuna.
Limoni tha se kjo paraqet problem për buxhetin komunal meqë nga rritja e pagave prej 25 për qind, Komuna duhet të paguaj mbi 2.4 milionë euro nga granti i përgjithshëm dhe të hyrat vetanake që për këtë viti parashihen të jetë 3.859.953,00 euro.
Ai tha se nëse krahasohet me vitin 2014, në vitin 2015 Komuna e Gjilanit ka zvogëluar buxhetin për mallra dhe shërbime, ndërsa ka rritje të buxhetit për subvencione.
Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Bujar Haziri theksoi se nevojat buxhetore për këtë sektor janë më të mëdha, meqë në vitin 2015 tre objekte do të hyjnë në menaxhim të kësaj drejtorie: Muzeu, Shtëpia e Rinisë dhe terreni sportiv ndihmës.
Edhe drejtori i Shërbimeve Publike Sokol Haziri tha se nevojat e kësaj drejtorie janë shumë më të mëdha sesa buxheti për vitin 2015, megjithatë do të mundohet të jetë gjithëpërfshirës sidomos në zbatimin e katër shtyllave të infrastrukturës të kryetarit Lutfi Haziri.
Nga ana e tij, drejtori i Zhvillimit Ekonomik Ismail Januzi ka thënë se projekt buxhet i lejuar edhe më i vogël sesa viti paraprak, duke thënë se nuk janë marrë parasysh kërkesat e Komunës nga qeveria e Kosovës.
Ndërkohë, kanë pasuar pyetjet e shumë qytetarëve lidhur me investimet në arsim, bujqësi, infrastrukturë, shëndetësi e sektore të tjera, të cilave u janë përgjigjur drejtorët përkatës.
Ndryshe, zyrtarët komunal theksuan se mungesa e qeverisë e ka krijuar këtë gjendje aspak të lakmueshme buxhetore, ndërsa tha se do të shikohet mundësia që të gjejnë donacione nga jashtë për ta përballuar këtë gjendje. /2L ONLINE/