Në Viti janë mbajtur dje edhe dy dëgjime publike, ku në njërin takim është biseduar me afaristët e komunës së Vitisë, ndërkohë që në takimin e dytë është debatuar me qytetarët e Vitisë.
Debatet e mbrëmshme në Viti, kanë shënuar edhe përfundimin e ciklit të dëgjimeve publike për buxhetin 2018-2020, me që rast janë zhvilluar 26 takime në lokalitetet e kësaj komune dhe grupe të ndryshme të shoqërisë.
Afaristët vitias në këtë takim kanë kërkuar që të ketë ndarje të fondeve për mbështetje të grupeve të ndryshme të biznesit, subvencionim të fermerëve etj.
Gjithashtu u kërkua që komuna në buxhetin e ardhshëm të ketë një fond për nevoja emergjente në rast të fatkeqësive dhe dëmeve të shkaktuara në bujqësi, apo edhe të shqyrtoj mundësit për sigurim të prodhimeve të fermerëve të komunës së Vitisë.
Ndërkohë që në takimin me qytetarët e Vitisë që u mbajt në orët e mbrëmjes, si nevojë prioritare ishte furnizimi me ujë të pijshëm në Viti, e po ashtu edhe nëpër lagje të ndryshme, menaxhim më të mirë të mbeturinave, rregullim dhe intervenim të rrjetit të kanalizimit në shumë lagje.