Ka ardhur konfirmimi zyrtar nga boksieri amerikan, Floyd Mayweather për meçin e tij të ardhshëm. Ai, përmes profilit të tij zyrtar në Twitter, ka konfirmuar se do të përballet me boksierin me prejardhje nga Haiti, Andre Berto.
“Më 12 shtator 2015 është data. Mund t’i shihni momentet e ushtrimeve të mia në rrjetet sociale”, ka shkruar Mayweather.
Pra, përballja tjetër e rëndësishme në historinë e boksit do të zhvillohet më 12 shtator, në sallën MGM Grand Las Vegas. Berto do të jetë kundërshtari i 49-të i Mayweather, i cili është një kampion i padiskutueshëm me një rekord prej 48 fitoreve dhe asnjë humbjeje, raporton “Mundo Deportivo”.
Pas duelit historik kundër Manny Pacquiao, boksieri amerikan kishte konfirmuar se do ta përfundojë karrierën e tij vetëm edhe pas një lufte dhe sipas të gjitha gjasave, Berto do të jetë kundërshtari i tij i fundit.
Në rast të fitores, ai do të barazonte me legjendën e boksit Rocky Marciano i cili ka shënuar 49 fitore dhe asnjë humbje gjatë karrierës së tij.
Në anën tjetër, Berto është shprehur mjaft i emocionuar që do të përballet me boksierin amerikan.
http://botasot.info/sporti/431718/zyrtare-mayweather-lufton-me-12-shtator/