Nesër do t’i nënshtrohen testit të maturës 1261 maturantë të komunës së Gjilanit.
Nga Drejtoria e Arsimit thonë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për t’u mbajtur testi i maturës në mënyrë të rregullt sipas kërkesave të MAShT-it, duke filluar nga përgatitja e 10 qendrave të testimit, 43 administrues të cilët do të administrojnë procesin, si dhe 10 komisione me nga tre anëtarë pjesëmarrës.
Drejtoresha e Arsimit Albana Demiri, tha se procesin do ta përcjellin edhe përfaqësues nga MAShT-i, Drejtoria e Arsimit dhe shkollat.
Sipas saj nxënësit me vete duhet të kenë dokumentin e identifikimit, vërtetimin që e kanë paraqitur maturën, si dhe një laps të thjeshtë.
Testi fillon nga ora 10:00, ndërsa nxënësit duhet të jenë në ora 09:00 në objektet shkollore!
“Këshillojmë të gjithë nxënësit që të fokusohen në aftësitë e tyre kognitive e njohuritë e fituara, të menaxhojnë stresin e gjendjen emocionale gjatë këtij procesi”, tha Albana Demiri.
Për rast nevoje drejtoria ka aranzhuar edhe ekipet mjekësore e psikologjike për nxënësit!
Drejtoresha e Arsimit, i ka uruar suksese për të gjithë maturantët, duke shpresuar në rezultate pozitive nga të gjithë. /2LONLINE/