12 nxënës gjilanas përzgjidhen në mesin e 70 garuesve më të suksesshëm në “Math Kangaroo Kosova 2017”. Në mesin e tyre matematikanja e re gjilanase Era Syla, fitoi vendin e parë në kategorinë e klasave 7-8.
Festim Shkodra, koordinator në garën “Kangaroo”
Sivjet për herë të parë në Kosovë më 18/03/2017, është mbajtur gara ndërkombëtare e matematikës “Kangaroo”, të cilën e ka organizuar Instituti ATOMI me autorizimin e “Asociacionit Kangourou Sans Frontières (AKSF)” me seli në Paris.
Për një mbarëvajtje më të mire të kësaj gare, Instituti ,,Atomi” ka nënshkruar edhe një marrëveshje mirëkuptimi me MASHT-in. Gara “Kangaroo” është gara më e popullarizuar në botë për fushën e matematikës, e cila sivjet u organizua në mbi 70 vende të botës dhe në të kanë marrë pjesë mbi 6 milionë nxënës nga mbarë bota.
Në këtë garë, në të njëjtën ditë fëmijët nga mbarë bota iu nënshtrohen testeve të njëjta me detyra nga matematika. Me këtë, matematikanët e rinj të Kosovës, duke e bërë shtetin e tyre anëtar të barabartë në këtë organizim të dijes, po japin kontribut të mëtejmë, në afirmimin e Republikës së Kosovës.
Në garën Math Kangaroo Kosova 2017, kanë marrë pjesë mbi 4000 nxënës të klasave I – XII, nga mbarë Kosova. Këta nxënës kanë garuar të ndarë në kategori sipas klasave që vijojnë. Ndarja është bërë si vijon: kategoria 1 – klasat I-II, kategoria 2 – klasat III-IV , kategoria 3 – klasat V-VI , kategoria 4 – klasat VII-VIII, kategoria 5 – klasat IX-X dhe kategoria 6 – klasat XI-XII. Në këtë garë, nga Komuna e Gjilanit kanë marrë pjesë rreth 460 nxënës.
Si më të suksesshmit në këtë garë në nivel të Republikës së Kosovës, janë shpallë të gjithë ata nxënës që kanë treguar arritshmëri 60% e më lartë në test. Në bazë të këtij kriteri në nivel vendi janë shpallë si më të suksesshëm 70 nxënës dhe ata janë certifikuar në një solemnitet të organizuar për ta më 29/04/2017 në Prishtinë. Prej këtij numri, 10 nxënës janë nga Komuna e Gjilanit dhe i ndjekin mësimet në shkollat e Gjilanit.
Nxënësit fitues të Math Kangarros Kosova 2017, vijues të mësimit në shkollat e Komunës së Gjilanit janë:
Anes Zeqiri , kl. IV / SHMU “Mulla Idriz Gjilani” / kategoria 2
Leart Mahmuti , kl. II / SHMU “Rexhep Elmazi” / kategoria 1
Jorik Kryeziu , kl. IV / SHMU “Selami Hallaqi” / kategoria 2
Orges Ramadani , kl. IV / SHMU “Rexhep Elmazi” / kategoria 2
Enes Bajrami , kl. VI / SHMU “Selami Hallaqi” / kategoria 3
Fjolla Shabani , kl. VI / SHMU “Skënderbeu” / kategoria 3
Era Syla . kl. VIII / SHMU “Selami Hallaqi” / kategoria 4
Rinesë Morina , kl. VIII / SHMU “Skënderbeu” / kategoria 4
Viol Guda , kl. VII / SHMU “Selami Hallaqi” / kategoria 4
Florian Shabani , kl. VIII / SHMU “Skënderbeu” / kategoria 4
Suksesin më të lartë nga këta nxënës, e ka treguar matematikanja e re Era Syla, që ka zënë njëkohësisht vendin e pare në nivel të Kosovës, pra ka arritur rezultatin më të mirë në kategorinë e saj – për klasat VII-VIII.
Pos këtyre nxënësve në mesin e 70 nxënësve më të suksesshëm të “Kangaroos” në Kosovë, ka edhe nxënës të tjerë gjilanas, që kanë mbaruar klasat I-IX në komunën e Gjilanit, por që aktualisht vijojnë mësimet në shkolla jashtë Komunës së Gjilanit, siç janë Alban Elezi dhe Nita Sylejmani.
Sukseset e vazhdueshme të nxënësve gjilanas nëpër gara të ndryshme të matematikës, pos që janë tregues të pranisë së talenteve të matematikës në këtë komunë, dëshmojnë edhe për punën e palodhshme të mësimdhënësve të tyre të matematikës.
Instituti ATOMI e ka shfrytëzuar këtë garë edhe për të identifikuar talentet e rinj në fushën e matematikës në Kosovë, në mënyrë që të ofrojë aktivitete dhe shërbime të ndryshme përkrahëse për këto talente, posaçërisht kurse të avancuara të matematikës, në funksion të zhvillimit dhe avancimit maksimal të talentit, njohurisë dhe kompetencës së tyre në fushën e matematikës.
Por këta fëmijë kanë nevojë edhe për një përkrahje më të madhe dhe të vazhdueshme institucionale. Sepse investimi i sotshëm i shoqërisë sonë për ta, është investim në zhvillimin e sigurt të vendit në të ardhmen.