Fushata që iu ka paraprirë zgjedhjeve të fundit në Kosovë, nuk ka ndodhur në të kaluarën e largët por para disa muajsh.
Shkruan: Arsim KASTRATI
Megjithatë kjo nuk po i pengon disa politikanë të LVV dhe të LDK-së, të deklarojnë se u qëndruakan besnik parimeve dhe premtimeve të tyre paraelektorale për taksën, reciprocitetin dhe bisedimet me Serbinë!
Çdokush që sado pak e ka përcjellë këtë fushatë, e ka të qartë se këto deklarime i përgjigjen fare pak ose hiç aspak realitetit objektiv.
Partitë e koalicionit që sapo u prish gjatë fushatës në fjalë, vetëm me të rrallë dhe shkarazi i kanë përmendur çështjet e taksës, reciprocitetit dhe të bisedimeve me Serbinë.
Edhe kur u janë referuar këtyre çështjeve, tjera deklarata kanë dhënë atëbotë e tjera po japin sot.
Atyre ditëve thoshin se nuk do të bisedojnë me Serbinë për derisa ajo nuk i plotëson disa kushte, nuk do ta heqin taksën pa e vendosur paraprakisht reciprocitetin, etj., etj., kurse sot kanë adoptuar tjera qëndrime dhe kanë marr tjera vendime.
E vërteta e cila po mundohet të plotësohet tani nga këta politikanë, është fakti se gjatë fushatës paraelektorale 99% e diskursit të tyre oratorik përbëhej nga fjalitë fajësuese: ata janë hajnat, ata janë shkatërruesit e shtetit, ai është tradhtari!
Tjera fjalë shumë pak janë dëgjuar nga ta, ndërsa elaborime të qëndrimeve të caktuara për çështjet e sipërshënuara nuk ka pasur.
Atëherë do ti kenë synuar vetëm votat e popullit të Kosovës, të hidhëruar me të drejtë për shkak të keq qeverisjës 20 vjeçare.
Nuk është se nuk u tërhiqej vërejtja nga askush për shmangien e debatit rreth bisedimeve me Serbinë, kur dihej mirëfilli se kjo çështje do ti priste e para në rend të ditës.
Nuk ishte ‘ushqim’ i lehtë për ‘miden’ e nervozuar të popullit, ishte elektoralisht kontra produktive, një çështje e rëndë, atëherë, sot, dhe kurdoherë!
Kaq kishte nga parimet, qëndrimet dhe nga programi politik paraelektoral, në të cilat këta politikan po thirren sot. Ato nuk i pamë gjatë fushatës së fundit, çka pamë e çka dëgjuam ishin parullat histerike: “Poshtë hajnat” dhe “Poshtë tradhtia”.
Nëse zhgënjimi dhe hidhërimi i konsiderueshëm i ka shtyrë kosovarët të favorizojnë individ e grupacione të caktuara politike, kjo nuk do të thotë se të njëjtat janë pa gabime dhe pa përgjegjësi, për gjithçka ka ndodhur e nuk ka ndodhur në pasluftën e Kosovës.