Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka ndarë çmimin tradicional “Shaban Jashari”, për mësimdhënësin e dalluar të vitit, i cili çmim këtë vit i është ndarë mësueses Valbona Tahiraj nga komuna e Drenasit.
Në këtë ceremoni, janë ndarë edhe mirënjohje për mësimdhënësit e dalluar në nivel të Republikës së Kosovës, nga secila komunë. Këta mësimdhënës ishin zgjedhur më parë si mësimdhënës më të mirë edhe në komunat e tyre.
Në kuadër të këtyre mësimdhënësve, me mirënjohjen “Mësimdhënës i dalluar”, u nderuar edhe Festim Shkodra, mësimdhënës i matematikës në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, për kontribut të veçantë në fushën e arsimit dhe edukimit.
“Në kuadër të këtyre mësimdhënësve edhe unë u nderova me mirënjohjen “Mësimdhënës i dalluar” në nivel shteti për kontribut të veçantë në fushën e arsimit dhe edukimit. Ky është një nder i madh për mua, Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan ku punoj dhe komunën e Gjilanit, si dhe do të jetë një motiv shtesë për punë dhe rezultate edhe më të mëdha”, ka thënë Shkodra, për të shtuar se këtë mirënjohje ua dedikon të gjithë atyre që dhanë kontribut për lirinë tonë dhe shkollën shqipe si dhe familjes s tij e veçanërisht prindërve të tij të ndjerë.