Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh), iu bën thirrje menaxhmentit të shkollave, mësimdhënësve, nxënësve, prindërve dhe kujdestarëve ligjorë për kujdes të shtuar në shkolla, në oborret e shkollave dhe në afërsi të tyre, në mënyrë që të jepet kontributi nga të gjithë për ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm.
MASh, po ashtu, kërkon nga Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA) që të kujdesen për dezinfektimin e vazhdueshëm dhe mirëmbajtjen e shkollave sipas rekomandimeve të IKShPK-së, MSh-së dhe Udhëzuesit për organizmin e mësimit në kushte pandemie.
Ministria e Shëndetësisë dhe IKShPK, bazuar në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, nëse situata pandemike përkeqësohet, mund të marrin vendim për mbylljen e shkollave.
Prandaj, MASh kërkon nga task forcat e shkollave dhe të DKA-ve që, përveçse të kujdesen për zbatimin e të gjitha masave, të vlerësojnë edhe situatën dhe ato shkolla që kanë vështirësi në organizim, të respektojnë vendimin e Ministrisë së Arsimit për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021 në kushte pandemie, dhe të kalojnë në mësim online, sipas Protokolit të reagimit ndaj pandemisë COVID-19 në shkolla dhe Udhëzuesit të MASh.
Mësimdhënësit dhe nxënësit e të gjitha niveleve parauniversitare të Republikës së Kosovës, niveli parashkollor, fillor, i mesëm i ulët dhe i mesëm i lartë mund t’i përcjellin regjistrimet e përmbajtjeve mësimore në platformën e Shqipërisë www.akademi.al, ku me rastin e regjistrimit duhet përzgjedhur Kosovën si vendi ku zhvilloni mësimin, ndërsa çasja në këtë platformë duhet konfirmuar përmes e-mailit.