Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në bashkëpunim me OSBE-në dhe Policinë e Kosovës, ka mbajtur takimin e radhës, me ç’rast edhe është diskutuar lidhur me masat preventive ndaj zjarreve, përdorimit të armëve në dasma, sigurimit të puseve dhe përroskave, me qëllimin të evitimit të çfarëdo rreziku për jetën dhe pasurinë e qytetarëve.
Halit Rexhepi, kryesues i takimit ka thënë se masat preventive janë të domosdoshme tash në sezonën e verës, kur edhe mund të ndodhin fatkeqësi të ndryshme si pasojë e ngritjes se temperaturës, përkatësisht shpërthimit të zjarreve, aksidenteve, etj.
“Është i domosdoshëm një mobilizim edhe më i madh nga ana e organeve përkatëse, të cilat vazhdimisht duhet të kontaktojnë me qytetarët për të tejkalua çdo fatkeqësi të mundshme”, ka thënë ai.
Rexhepi ka apeluar për intensifikimin e aktiviteteve nga ana e organeve kompetente te komunës në periudhën e sezonës verore, kur edhe mund të kihen ballafaqime me probleme dhe vështirësi të ndryshme.
Majori Remzi Azemi, komandant i Stacionit Policor në Gjilan, takimin në fjalë e vlerësoi të rëndësishëm.
“Kemi bërë me kohë planet operative, madje kemi bërë edhe hapa konkret karshi sezonës verore duke vizituar pusetat që paraqesin rrezik jo vetëm për fëmijët, por edhe për të rriturit. Mandej kemi planifikuar numrin e zyrtarëve policorë dhe veprimet në teren si preventivë”, ka thënë komandanti Azemi.
Ai tha se tash në sezonen e verës rreziqet vijnë e shtohen duke kërkuar që secili duhet të jap kontributin e mundshëm, si institucionet kompetente, po ashtu edhe qytetarët.
“Tash në stinën e verë rritet shkalla e rreziqeve nga aksidentet, ujërat dhe zjarret ndaj të cilave duhet të jemi vigjilent dhe të shprehim aftësitë tona në aspektin preventiv. Duhet të kihet kujdes në komunikacion, ndaj fëmijëve që mund të ofrohen në vendet ku janë të rrezikuar nga uji, si dhe ndaj zjarreve, edhe përkundër masave preventive të Policisë së Kosovës”, tha tutje majori Azemi.
Sipas tij policia ka qasje serioze dhe konkrete për parandalimin e çfarëdo pasoje të mundshme.
” Jemi për mbrojtjen e sigurisë dhe pasurisë së qytetarëve, sepse edhe e kemi obligim. Andaj edhe forcat kryesore policore do të jenë në shërbim të parandalimeve të aksidenteve, incidenteve dhe veprave penale. Nuk do të rrimë duar kryq ndaj të gjithë atyre që e shkelin ligjin, si ndaj atyre që hapin gropat, ndezin zjarre, apo që përdorin armë në dasma e ahengje tjera”, tha ai.
Rreshtere Sadete Sadiku tha se projekti “Festo me zemër, e jo me armë!” vazhdon jetësimin përmes fushatave të ndryshme nga ana e policisë.
“Nuk kemi hezituar në asnjë rrethanë, duke arrestuar e konfiskuar armë nga ata që kanë rrezikuar jetën e qytetarëve në dasma apo ahengje tjera. Me të njëtjen qasje edhe do të vazhdojmë edhe tash e tutje”, tha ajo.
Sipas saj u tha se policia, nuk është për të penguar dasmat e festat, por për prioritet ka mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
Nga ana tjetër, togeri Ismet Hashani, zëdhënës i policisë nga Rajoni i Gjilanit, ndër tjera tha se projekti “Festo me zemër, jo me armë!”, ka për qëllim që gëzimet të mos kthehen në fatkeqësi.
Ymer Demolli nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim tha se kjo Drejtori ka ngritur të nivelit të gatishmërisë karshi situatave të rrezikshme dhe të vështira që mund të paraqiten gjatë sezonës së verës, duke theksuar se deri tash të mos ketë pasur probleme të theksuara.
Kurse Shaip Ismajli nga Shërbimi për Zjarrfikësve tha se janë bërë përgatitje për t’iu përgjigjur zjarreve, duke theksuar se pa bashkëpunim ky shërbim do të jetë i mangët për të përballuar situatat që sjellin zjarret.
Përfaqësuesi i OSBE-së Ivan Nikoliq, duke folur në emër të zyrës, ndër tjerash tha se për të shmangur fatkeqësitë janë të nevojshme angazhimet parandaluese ndaj rreziqeve.