Shkruan: Sami ARIFI
Serbia, duke shfrytëzuar situatën e volitshme vendosi pushtimin e territoreve shqiptare me qëllimin e fundit për dalje në Detin Adriatik.
Holokausti i shqiptarëve nga Serbia nuk kishte të ndalur, egërsia serbe ishte e pakufizuar ndaj shqiptarëve, gjashtëdhjetë shqiptarë janë vrarë në Terstenik, tridhjetë e dy në Smirë, nëntëdhjetë në Lubishtë.
Në Komogllavë ku numroheshin pesëdhjetë shtëpi, u vranë që të gjithë burrat pa asnjë përjashtim, më pas, po në këtë zonë, janë mbledhur burrat, janë vënë me forcë në rresht dhe janë detyruar të përshëndesin ushtarakisht, pastaj janë lidhur këmbë e duar dhe janë pushkatuar, ndërsa në Preshevë gjithashtu kanë mbetur fare pak njerëz të gjallë.
Në fund të shkurtit 1913, forcat e armatosura serbe hynë në fshatin Shashare, grumbulluan të gjithë burrat dhe djemtë, dhe, para tyre nisën të përdhunojnë të gjitha vajzat dhe grat e fshatit, po në këtë mënyrë të turpshme e faqezezë, ushtria serbe veproi edhe në fshatin e Letnicës.
Duhet të vemë në dukje se popullata e Shashares dhe e Letnicës ishte krejtësisht sllave me konfesion katolikë, egërsia e patregueshme e trupave serbe nuk ka kursyer edhe racën e vet katolike, vetëm që si përkisnin konfesionit ortodoks të tyre.
Masakrat e ushtrisë gjakatare serbe ndaj popullatës së pafajshme shqiptare nuk kishin të ndalur, publikimet bëheshin nga reporter të gazetave të ndryshme, në mes të cilave edhe gazeta angleze “Daily cronicle” publikon se në rrethinën e Prizrenit me datën 12. 11. 1912, ishin masakruar 5 mijë qytetarë shqiptarë.
Masakrën e batalionit të tij e përshkruan oficeri serb. Sa i përket “kolonizimit dhe serbizimit të Kosovës” më 1912-1913, shkruan edhe Kosta Novakoviqi, citon se u shuan më se 120 mijë shqiptarë, burra, gra, fëmijë e pleq, qindëra fshatra u bombarduan, një shumicë e madhe fshatrash u dogjën…”është për t’u përmendur, që, përfaqësuesi i politikës imperialiste ruse, ministri rus në Beograd (vazhdon Novakoviqi), e ka bekuar këtë politikë shfarosëse që bën Beogradi”.
Socialdemokrati serb, Dimitrije Tucoviqi, për këtë ngjarje thekson se pushteti serbomadh: “i fshihte egërsitë e veta si gjarpri këmbët…fshatrat shqiptare ishin shndërruar në vatra shkrumbi, në të njejtën kohë këto ishin krematoriumet më barbare në të cilat digjeshin për së gjalli me qindra gra, pleq, të sëmuar, e fëmijë”…
Pikërisht në ditën e pushtimit të Durrësit nga ushtria gjakatare serbe, profesori kroat, Milan von Sufflay, botoi në gazetë një shkrim të gjatë, ku tregonte se „argumentet serbe ishin jo më shumë se sa propagandë politike“. Artikullin e tij e botonte gazeta austro-hungareze Neue Freie Presse.
Pas pushtimit të Kosovës trupat serbe ia mësyen pushtimit të Shqipërisë nga tri drejtimet: Nga Dibra, Prizreni dhe Gjakova. Mali i Zi sulmoi nga drejtimi i Hotit, Grudës dhe Kelmendit në drejtim të Shkodrës, ndërsa Greqia sulmoi nga jugu për tokë dhe për det.
Përkundër rezistencës që bënë shqiptarët e Matit, Lumës, Hasit të Krasniqes dhe të Dukagjinit, trupat serbe për disa ditë depërtuan në Durrës dhe gjetiu. Njësit e parat ë ushtrisë serbe mbërritën në det nga drejtimi i Prizrenit dhe i Gjakovës më 18 nëtor 1912, ndërsa Kruja u pushtua më 26 nëntor, Tirana më 27 nëntot dhe Dibra më 28/29 nëntor të vitit 1912.
Pas pushtimit të Shqipërisë, Serbia kishte marr një varg masash dhe aksionesh të karakterit ushtarak, policor, administrativ dhe ekonomik me të cilat synonte të forconte sundimin e saj në territoret shqiptare të pushtuara. Serbia para se të pushtonte territoret shqiptare dërgonte profesionistë për veprimtari informative-zbuluese dhe propagantistike në shërbim të pushtimit të saj, prandaj për këtë qëllim, në mars të vitit 1913 u dërgua në Durrës Filip Gjurashkoviq për të ushtruar veprimtari komplotiste.
Kosta Novakoviqi një intelektual dhe publicist serb, dëshmitar i ngjarjeve jep dëshmi për regjimin ushtarak serb, për barbarit e tyre.
Popullsia shqiptare, nga ushtria, policia dhe formacionet tjera serb ishte trajtuar armiqësore, prandaj ndaj tyre lejoheshin përdorimet e të gjitha mjeteve dhe metodave për keqtrajtim, shfarosje dhe dëbimin e tyre. Në pajtim me këtë politikë dhe me këto qëllime Serbia ushtroi terror dhe gjenocid klasik mbi popullatën shqiptare edhe në Shqipëri. /2LONLINE/