Ajo që filloi si një mashtrim i madh se gjoja bisedimet me Serbinë do të jenë vetëm teknike, përfundoi me bosnjëzimin e Kosovës, thuhet në komunikatën e Nisma-s, subjekt opozitar që drejtohet nga Fatmir Limaj.
Marrëveshja për Bashkësinë e Komunave Serbe e arritur mbrëmë nga Mustafa dhe Vuçiqi në Bruksel përfundimisht krijoi një entitet politiko-juridik dhe territorial brenda Republikës së Kosovës.
Bashkësia e Komunave Serbe, ashtu siç e parasheh kjo marrëveshje do të funksionojë në mënyrë tërësisht të pavarur dhe do të jetë një organizëm i cili do të sfidojë institucionet qendrore të Kosovës.
Përmes Bashkësisë së Komunave Serbe, Serbia në mënyrë të drejtpërdrejtë do të ushtroj sovranitetin në territorin e komunave që do të jenë pjesë e saj, thuhet tutje në komunikatën e Nisma-s.
“Me këtë marrëveshje delegacioni i Kosovës përfundimisht legalizoi ndarjen e vendit mbi baza etnike.
Struktura e organizimit të bashkësisë do të ketë të gjitha elementet e një njësie federale: Kuvend, Këshill, President, administratë, pasuri të luajtshme e të pa luajtshme. Pra, Bashkësia do të ketë fuqinë e plotë për të marr vendime për këtë pjesë të territorit të Kosovës.
Kompetencat që do të ushtroj Bashkësia dëshmojnë se në Bruksel delegacioni i Kosovës ka pranuar dhe legalizuar themelet e një shteti brenda shtetit të Kosovës.
Marrëveshjet e arritura më parë siç janë ato për policinë, gjyqësinë, doganat, tatimet dhe këto të fundit për telekomunikacionin dhe energjetikën e kompletojnë tërësinë e kompetencave ekzekutive dhe administrimin e tyre nga autoritetet e Bashkësisë serbe.
NISMA për Kosovën, konsideron se me këtë marrëveshje, Kosova nuk është më një shtet unik dhe i pa ndarë siç e parasheh kushtetuta por një shtet i ndarë në baza etnike dhe me prerogativa të rregullimit federativ.
Delegacioni i Kosovës përmes kësaj marrëveshjeje i kanë dhënë goditje të rëndë rendit kushtetues të Republikës.
Marrëveshja për bashkësinë dhe ajo për shënimin e kufirit me malin e Zi, të arritura brenda një harku kohor prej disa ditësh, tregojnë më së miri se vendi po udhëhiqet nga një qeveri e cila jo vetëm që nuk është duke mbrojtur interesat e vendit, por përmes këtyre marrëveshjeve po e dëmton rëndë të ardhmen e tij.
Këto marrëveshje do të kenë pasoja të mëdha për të ardhmen e vendit, përgjegjësinë do ta mbajnë ata që e sollën vendin në këtë gjendje”, thuhet n fund të komunikatës së Nisma-s.