Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, ka pritur në takim Drejtoreshën Operative të Projektit britanik “Forcimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë”, Rachel Burrows, projekt ky, që realizohet përmes partnerëve implementues “Axiom International”.
Fillimisht, Kryesuesi Maloku falënderoi Drejtoreshën Operative, Burrows, për mbështetjen e shumanshme përmes këtij projekti, duke shprehur vullnetin dhe angazhimin e pakursyer për zbatimin e programeve ekzistuese të bashkëpunimit dhe njëherësh duke u zgjeruar më tej në fusha të reja, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e llogaridhënies, transparencës dhe integritetit dhe në përqendrimin konkret në proceset e forcimit të aftësisë së Këshillit Prokurorial dhe të Prokurorit të Shtetit për të drejtuar në mënyrë strategjike shërbimet prokuroriale.
Nga ana tjetër, Drejtoresha Burrows, tha se ndihet e lumtur për vlerësimin e projektit aktual dhe programeve të tij, që janë pjesë e kësaj mbështetjeje të çmuar për avancimin e proceseve në sistemin prokurorial dhe përmirësimin e vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm të institucioneve prokuroriale të Kosovës.
Në fund të takimit, Kryesuesi Maloku dhe Drejtoresha Burrows, shprehën përkushtimin e tyre për të intensifikuar edhe më tej bashkëpunimin lidhur me gjetjen e mënyrave dhe formave më efikase të punës dhe për trajtimin e kërkesave, nevojave, sfidave dhe vështirësive, që mund të paraqiten në të ardhmen. /2LONLINE.com/